
Ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër evakuimi për pjesën më të madhe të Libanit jugor, duke u kërkuar banorëve të largohen drejt veriut të lumit Litani, ndërsa operacionet ushtarake kundër Hezbollahut vazhdojnë.
Zona e përfshirë në urdhrin e evakuimit përfshin qindra mijëra banorë dhe edhe qytetin Tyre, që konsiderohet qyteti i pestë më i madh në Liban.
Sipas raportimeve të mediave shtetërore libaneze, forcat izraelite kanë avancuar më tej në territorin e Libanit nga pozicionet e tyre përgjatë kufirit.
Të njëjtat burime raportojnë se ushtria izraelite ka hyrë në qytetin Khiam në jug të Libanit, rreth 6 kilometra larg kufirit me Izraelin, ndërsa zona është përballur me granatime të vazhdueshme.
Ndërkohë, në rrjetet sociale po qarkullon një fotografi që pretendohet se tregon përparimin e tankeve izraelite në zonën e Kfarshouba, në juglindje të Libanit. Autenticiteti i këtyre pamjeve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Prej disa ditësh situata në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar ndjeshëm. Tensionet janë rritur në disa fronte, përfshirë përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollahut në kufirin me Libanin, ndërsa zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet për një përhapje më të gjerë të konfliktit në rajon.
Lini një Përgjigje