TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Dhjetor 2025, 22:28

Iluzionet perandorake të Erdoganit

Shkruar nga Asli Aydintasbas
Iluzionet perandorake të Erdoganit
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, (i edituar si Sulltan)

Fuqia aktuale e Turqisë nuk përputhet me ambiciet e mëdha të Ankarasë. Kriza serioze ekonomike, shtypja e opozitës, çështja kurde, sfida e Izraelit por edhe sjellja e paqëndrueshme e Donald Trump, i vështirësojnë shumë planet e “Sulltanit”…

Kur presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan hyri në Shtëpinë e Bardhë në fund të shtatorit, ai duhej të dilte prej andej me një fitore. Erdogan i kishte paraqitur publikut turk një vizion të madh të udhëheqjes së Turqisë në Lindjen e Mesme, por ky vizion po errësohej gjithnjë e më shumë nga dyshimet.

Mospajtimi i brendshëm dhe problemet ekonomike kërkonin vëmendjen e vazhdueshme të Erdoganit dhe rrezikonin të njollosnin trashëgiminë e tij pas 23 vitesh në pushtet. Suksesi i forcave opozitare të mbështetura nga Turqia në rrëzimin e regjimit të Bashar Al-Asad në Siri dhjetorin e kaluar dukej se ofronte një mundësi të artë për të zgjeruar ndikimin e Turqisë.

Por u bë e qartë se detyra monumentale e rindërtimit të Sirisë do të ishte përtej aftësisë së Turqisë për ta bërë vetë. Në një moment u duk sikur angazhimi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mund t’i jepte shtysën që i nevojitej Erdoganit.

Edhe pse Ankaraja dhe Uashingtoni kanë pasur mosmarrëveshje kohët e fundit, përfshirë blerjen e sistemeve raketore ruse nga Turqia dhe ndërhyrjet e përsëritura në Siri, Trump pa tek Erdogani një partner për të ndihmuar në stabilizimin e Lindjes së Mesme.

Turqia kishte ndikim mbi Hamasin, gjë që mund të ishte e dobishme gjatë negociatave të armëpushimit të udhëhequra nga SHBA-të me Izraelin. Po ashtu, Ankaraja mund të mbështeste përpjekjet për paqeruajtje dhe rindërtim në Gaza dhe Ukrainë.

Zyrtarët turq, nga ana e tyre, shpresonin se një partneritet i rifilluar me një Donald Trump akoma më transaksional se në mandatin e parë mund ta ndihmonte Turqinë të rriste profilin e saj në Lindjen e Mesme. Dhe në fillim u duk sikur dëshira e tyre u plotësua.

Brenda pak ditësh nga vizita e Erdoganit në Uashington, shefi i inteligjencës turke, Ibrahim Kalin, iu bashkua bisedimeve në Egjipt për një armëpushim në Gaza. Kur u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit, më 13 tetor, Erdogan qëndroi pranë Trumpit dhe udhëheqësve të Egjiptit dhe Katarit.

Hyrja në qendër të skenës politike të Tokës së Shenjtë u pa si rikthimi përfundimtar i rolit historik të Turqisë në Lindjen e Mesme. Ose kështu do të donte Erdogan që ta besonin turqit e thjeshtë. Por, në të vërtetë, fuqia e Turqisë deri më tani nuk përputhet me aspiratat e Erdoganit për të krijuar një rend rajonal të udhëhequr nga Turqia.

Strategjia e madhe

Projekti gjeopolitik i Erdoganit mbështetet në një ide të thjeshtë: duke qenë më shumë sesa një fuqi e mesme, Turqia është e destinuar të udhëheqë Lindjen e Mesme në tërësi. Një javë pas rënies së Asadit, Erdogan deklaroi se “Turqia është më e madhe se Turqia”, se “si komb, nuk mund ta kufizojmë vizionin tonë në vetëm 782.000 km²”.

Në vizionin e Erdoganit ka njëfarë të vërtete, por njëkohësisht edhe shumë mite të shpikura. Brenda vendit, makineria e fuqishme propagandistike e qeverisë ka shtyrë përpara fushatën “Shekulli i Turqisë” dhe ka popullarizuar idenë se Turqia është e destinuar për madhështi.

Perandoria Osmane, dikur e tallur nga elita politike e Turqisë moderne si një simbol i dekadencës, është rehabilituar si një model i rendit dhe pluralizmit. Establishmenti i sigurisë së Turqisë, i centralizuar nën presidencën turke që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese në vitin 2018, e mbështet idenë e një rendi rajonal të udhëhequr nga Turqia.

Ushtria, dikur një simbol i përmbajtjes, mbështet tani misionet ushtarake të Turqisë në Irak, Libi, Siri dhe Mesdheun Lindor. Në diskutimet private, zyrtarët turq e përshkruajnë Turqinë si garantuese të stabilitetit nga Kaukazi në Levant, duke theksuar përafrimin e vendit me regjimet miqësore.

Në fakt, nën sundimin e Erdoganit, Turqia e ka zgjeruar praninë e saj rajonale. Prania e saj ushtarake shtrihet në të gjithë Kaukazin, Levantin dhe pjesë të Afrikës, ndërsa projekton fuqi detare në Mesdheun Lindor dhe Detin e Zi.

Gjatë dekadës së fundit, Ankaraja ka nënshkruar partneritete në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë me Shqipërinë, Algjerinë, Azerbajxhanin, Bosnjën, Etiopinë, Libinë, Nigerin, Pakistanin, Katarin, Somalinë, Sirinë dhe Tunizinë.

Në vitin 2020, Turqia mbështeti ndërhyrjen ushtarake të Azerbajxhanit për të rimarrë territorin nga Armenia dhe tani dëshiron të normalizojë marrëdhëniet edhe me Armeninë, e të krijojë një kompakt ekonomik rajonal që do të zvogëlonte ndikimin e Iranit dhe Rusisë në Kaukaz e do të zgjeronte aksesin e drejtpërdrejtë të Turqisë në treg.

Por ndërsa kërkon ndikim, Turqia nuk është veçanërisht e shqetësuar për qeverisjen e brendshme të fqinjëve të saj, duke u përqendruar kryesisht në marrëveshjet që avancojnë interesat e saj ekonomike dhe të sigurisë. Në këtë kuptim, vizioni i Erdoganit sot është më i ngushtë se axhendat e paraqitura më parë nga qeveria e tij, siç është doktrina “zero probleme me fqinjët” e ish-ministrit të jashtëm turk Ahmet Davutoglu.

Kjo ide synonte të balanconte aleancat tradicionale perëndimore të Turqisë me një zgjerim drejt lindjes, duke rritur ndikimin e vendit në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, e duke e pozicionuar atë si një model rajonal për reformën demokratike. Politika e Davutoglusë u shemb gjatë Pranverës Arabe, pjesërisht sepse nuk u materializua transformimi politik që Turqia u përpoq të nxiste në Egjipt, Siri dhe Jemen.

Tani, duke mos qenë më një demokraci në vetvete, Turqia është më pak e interesuar të ndryshojë sistemet politike të fqinjëve të saj sesa të përdorë fuqinë e fortë dhe marrëveshjet transaksionale për të promovuar solidaritetin midis regjimeve joliberale sunite.

Siria si gur prove

Kohët e fundit, Siria ka qenë laboratori për ambiciet rajonale të Turqisë. Turqia kontrollon pjesë të mëdha të Sirisë veriore dhe ka ndërtuar shkolla, spitale dhe gjykata në rajone që gjatë regjimit të Asadit qeveriseshin nga forcat opozitare të mbështetura nga Turqia.

Hayat Tahrir al-Sham, grupi që rrëzoi Asadin, ka gëzuar prej kohësh mbështetjen e Ankarasë. Që kur HTS dhe udhëheqësi i saj, Ahmed Al-Shara, morën pushtetin në Damask, Turqia ka ndihmuar regjimin e ri me trajnime dhe pajisje sigurie, menaxhim kufitar, ndihmë humanitare, pajisje bujqësore dhe fara, si dhe punime urgjente riparimi në rrjetin energjetik të Sirisë.

Kompanitë turke po fillojnë të bëjnë oferta për projekte ndërtimi, energjie dhe rrugore brenda Sirisë. Po ashtu, Ankaraja ka lobuar me sukses në Uashington, Riad dhe kryeqytetet evropiane për të hequr sanksionet e epokës së Asadit.

Shfaqja e një regjimi miqësor në Siri i ka hapur gjithashtu rrugën Turqisë të ringjallë negociatat me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup separatist që luftoi një kryengritje dekadash kundër shtetit turk. Erdogani shpreson të demonstrojë një model qeverisjeje multietnik - edhe pse joliberal - që pranon diversitetin nën një udhëheqje të fortë sunite.

Por, nëse bisedimet me kurdët ngecin në Turqi ose në Siri, e gjithë struktura do të fillojë të lëkundet. Trazirat e reja të nxitura nga kurdët do ta shtynin Turqinë të vendoste forcat e saj të sigurisë, duke konsumuar burimet e nevojshme për diplomaci më të gjerë rajonale.

Një shtet i brishtë

Por edhe nëse Ankaraja dhe Damasku mund të arrijnë një marrëveshje me kurdët, ëndrra e Erdoganit për të nisur një shekull të ri turk mbështetet në themele të brishta. Për turqit e zakonshëm që po përpiqen të sigurojnë jetesën, madhështia perandorake duket e largët nga vështirësitë e përditshme.

Vite të tëra politike monetare kaotike e kanë dëmtuar shumë Turqinë për shkak të inflacionit të lartë dhe zhvlerësimit të monedhës kombëtare. Prandaj Turqisë i mungon kapaciteti ekonomik për të mbështetur rindërtimin e Sirisë - ose ndonjë projekt tjetër të madh rajonal.

Dhe dobësia e Turqisë e ka detyruar qeverinë e re siriane të drejtohet nga Katari dhe Arabia Saudite për të mbuluar nevojat e menjëhershme buxhetore, të tilla si pagat dhe pensionet - një ndryshim që rrit ndikimin e Gjirit në Damask në kurriz të Turqisë.

Pas dy dekadash, sistemi i qeverisjes së hipercentralizuar i Erdoganit ka filluar të vuajë nga suksesi i vet. “Shteti mbështetet mbi supet e vetëm 10 njerëzve të aftë” - më tha një zyrtar i lartë. Por poshtë këtij rrethi të vogël teknokratësh kompetentë, agjencitë qeveritare janë atrofizuar ndërsa spastrimet dhe emërimet e bazuara në besnikëri kanë zhdukur njohuritë institucionale.

Vendimmarrja është përqendruar në pallatin presidencial, duke e lënë burokracinë të paaftë për të zhvilluar politikat e veta ose kapacitetin për t'i ekzekutuar ato. Ndërkohë, politikisht, baza e mbështetësve të Erdoganit është ngushtuar edhe pse është shtuar kontrolli i tij me dorë të hekurt.

Opozita i fitoi zgjedhjet bashkiake të vitit 2024. Partia e Erdoganit mori vetëm 35 për qind të votave, rezultati më i keq që nga ardhja në pushtet në vitin 2003. Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, në mars 2025, për akuza korrupsioni dhe arrestimet pasuese të më shumë se një duzine kryebashkiakësh të tjerë që i përkisnin partisë kryesore të opozitës u konsideruan gjerësisht si të motivuara politikisht.

Veç të tjerash, ato nxorën në pah pasigurinë e qeverisë: duke mos qenë më i sigurt se mund të fitojë zgjedhjet, Erdogan e ka shndërruar sistemin ligjor në një shkop për të goditur kundërshtarët e tij. Erozioni i mbështetjes për partinë e Erdoganit në fund të fundit kufizon aspiratat e tij rajonale.

Rivaliteti me Izraelin është sfida kryesore e jashtme, pasi dominimi i tyre ushtarak pengon projektin rajonal turk. Përplasja midis tyre kulmon në Siri, ku Turqia synon një shtet të fortë e të centralizuar nën orbitën e saj, ndërsa Izraeli kërkon një Siri të dobët e të decentralizuar.

Kjo përballje e detyron Erdoganin të shpenzojë burime të çmuara për të frenuar Izraelin, duke dobësuar ambicien e tij për lidership. Trump i ka dhënë Erdoganit statusin e partnerit kryesor në Siri, por kjo mbështetje është e pasigurt dhe varet nga humori i presidentit amerikan./Përshtati "Pamfleti" nga “Foreign Affairs”

erdogan sulltani

Lini një Përgjigje