Autoritetet e aviacionit në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të përcaktojnë gjatë javëve në vijim nëse incidenti i fluturimit të Ryanair-it kërkon një ose më shumë ndryshime strukturore në avionë si, për shembull, rishikimin e projektimit dhe qëndrueshmërisë së dritareve, si edhe forcimin e strukturës së trupit të avionit apo nëse shkëputja e njërës prej fletëve të motorit, e cila bëri që një pasagjer pothuajse të thithej jashtë avionit, lidhet më tepër me inspektimet dhe mirëmbajtjen, çka nuk do të kërkonte ndërhyrje të mëdha në projektim.
Mundësia
Këtë e shpjegojnë për Corriere della Sera dy burime perëndimore që janë në dijeni të hipotezave të para të brendshme në Agjencinë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA), Administratën Federale të Aviacionit të SHBA-ve (FAA) dhe Bordin Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB), agjencia e pavarur hetimore pranë Departamentit Amerikan të Transportit.
Kërkesa për të ndryshuar projektimin e një pjese të avionit konsiderohet aktualisht si një mundësi "e largët", edhe sepse raste të ngjashme kanë qenë shumë të rralla. Megjithatë, ky mbetet një skenar që ekspertët teknikë janë të detyruar ta marrin në konsideratë.
Fluturimi
Mëngjesin e 10 korrikut, fluturimi FR1879 i Ryanair-it (i kryer me një Boeing 737-800) në linjën Selanik–Memmingen u detyrua të kthehej menjëherë pas ngritjes, pasi shkëputja e njërës prej 24 fletëve të motorit të djathtë dëmtoi pjesën e brendshme të motorit. Disa fragmente goditën trupin e avionit, duke çarë një dritare. Si pasojë e dekompresionit, një pasagjer 61-vjeçar u tërhoq pjesërisht jashtë avionit, por u shpëtua nga bashkëshortja e tij dhe pasagjerë të tjerë.
Hetimet
Hetimet, të udhëhequra nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, po zhvillohen me pjesëmarrjen e homologëve grekë, Agjencisë Evropiane për Sigurinë e Aviacionit (EASA), Bordit Kombëtar Amerikan për Sigurinë e Transportit (NTSB), kompanisë Boeing (prodhuesi i avionit) dhe CFM International (prodhuesi i motorëve). Sipas burimeve, hetimet janë ende në fazat fillestare, ndaj nuk ka ende një pistë kryesore hetimi.
Burimet theksojnë se është jashtëzakonisht e rrallë që një fletë motori, me një vlerë prej rreth një milion dollar, të shkëputet në mënyrë kaq të pastër. Në dosjen hetimore do të shqyrtohen edhe dy raste të mëparshme me një dinamikë pothuajse identike me atë të fluturimit të Ryanair-it.
Rasti i vitit 2016
Rasti i parë daton më 27 gusht 2016, gjatë fluturimit Southëest 3472 nga Neë Orleans drejt Orlandos. Një fletë e motorit të majtë të avionit Boeing 737-700 (gjithashtu me motorë të prodhuar nga CFM International) u shkëput për shkak të konsumimit të metalit. Vala goditëse dhe fragmentet e fletës goditën anën e avionit, duke dëmtuar trupin e tij pak mbi vendin ku lidhet krahu i majtë dhe duke shkaktuar dekompresionin e kabinës. Në atë incident nuk pati të lënduar.
Rasti i vitit 2018
Rasti i dytë ndodhi më 17 prill 2018 dhe përfshiu gjithashtu një Boeing 737-700 të kompanisë Southëest. Gjatë ngjitjes në një lartësi prej 9.906 metrash, një fletë e motorit të majtë u këput për shkak të konsumimit të metalit. Goditja shkatërroi pjesën e përparme të motorit dhe fragmentet metalike, që lëviznin me shpejtësi shumë të lartë, goditën trupin e avionit, duke thyer një dritare të kabinës (pranë sediljes 14A). Si pasojë e dekompresionit, një pasagjere u tërhoq pjesërisht jashtë avionit dhe humbi jetën nga plagët e rënda që mori.
Çfarë ndodhi më pas
Pikërisht shkalla e ngjashmërisë së incidentit të Ryanair-it me këto dy raste të mëparshme do të përcaktojë qasjen që do të ndjekin autoritetet rregullatore.
Pas atyre aksidenteve, Bordi Kombëtar Amerikan për Sigurinë e Transportit (NTSB) urdhëroi kompaninë Boeing të ridizenjonte strukturën e mbulesës së motorëve të avionëve Boeing 737, në mënyrë që edhe në rast të shkëputjes së një flete të motorit, pjesët e mbulesës së jashtme të mbeteshin të fiksuara dhe të mos shndërroheshin në ‘predha’ që mund të godisnin trupin e avionit.
Gjithashtu, NTSB e bëri të detyrueshme që, pasi motorët të kishin kaluar një numër të caktuar ciklesh fluturimi, të kryheshin inspektime me ultratinguj dhe kontrolle me rryma për të gjitha fletët e motorëve CFM56-7B, modeli i motorit i përfshirë në këto incidente.
Udhëzimet për të ardhmen
NTSB i ka kërkuar gjithashtu Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-ve të bashkëpunojë me prodhuesit për të analizuar qëndrueshmërinë e dritareve të kabinës së pasagjerëve ndaj goditjeve nga fragmente me shpejtësi të lartë, të shkaktuara nga defektet e motorëve.
Megjithatë, agjencia nuk ka urdhëruar zëvendësimin e dritareve ekzistuese. Duke qenë se në shërbim janë mijëra avionë, një ndërhyrje e tillë do të ishte pothuajse e pamundur të realizohej brenda një afati të arsyeshëm. Në vend të kësaj, janë vendosur standarde më të rrepta për qëndrueshmërinë e dritareve, të cilat do të zbatohen gjatë certifikimit të modeleve të ardhshme të avionëve komercialë.
Vëmendja te fluturimi i Ryanair-it
Megjithatë, sipas burimeve, mënyra se si ndodhi incidenti në fluturimin e Ryanair-it mund ta ndryshojë këtë qasje. Nëse hetimet tregojnë se rasti paraqet rreziqe të reja, autoritetet mund të kërkojnë ndërhyrje, në një masë më të madhe ose më të vogël, në strukturën e avionëve që janë aktualisht në përdorim.
Sipas të dhënave që platforma e specializuar Cirium i ka vënë në dispozicion gazetës Corriere della Sera, aktualisht janë në shërbim 5.982 avionë Boeing 737 të pajisur me motorët CFM56-7B, që do të thotë se janë në përdorim gjithsej 11.964 motorë të këtij modeli. Ndërkohë, rreth 400 avionë të tjerë të të njëjtit lloj ndodhen aktualisht jashtë shërbimit./Corriere della Sera
Lini një Përgjigje