Bota 5 Maj 2023, 08:51

Inteligjenca amerikane: Putin do të heqë dorë së shpejti nga plani për të pushtuar Ukrainën

Shkruar nga Pamfleti
Inteligjenca amerikane: Putin do të heqë dorë së shpejti nga
Vladimir Putini

Vladimir Putini mund të heqë dorë nga planet e tij për të nënshtruar së shpejti Kievin dhe për të pushtuar Ukrainën, sipas një vlerësimi më të fundit të bërë nga zyrtarë të lartë amerikanë.

Përfaqësues të agjencive amerikane të zbulimit kanë thënë më parë se presidenti rus besonte, se në mënyrë që të përmbushte fatin e tij, do të ishte e nevojshme që ai të pushtonte Ukrainën.

Por ndërsa lufta po zvarritet në vitin e saj të dytë, zbulimi amerikan beson se udhëheqësi rus ka pranuar disi, realitetin në terren. “Ne vlerësojmë se Putini ka të ngjarë të zvogëlojë ambiciet e tij afatshkurtra, për të konsoliduar kontrollin e territorit të pushtuar në Ukrainën lindore dhe jugore, si dhe për të siguruar që Ukraina nuk do të bëhet kurrë anetare e NATO-s”, tha të enjten drejtoresha e Agjencisë së Zbulimit Kombëtar Avril Haines, përpara anëtarëve të komisionit të Forcave të Armatosura në Senat. “Forcat ruse fituan më pak territor në muajin prill sesa gjatë tre muajve të mëparshëm, pasi dukej se ato po kalonin nga operacionet sulmuese, në ato mbrojtëse përgjatë vijës së frontit”, tha zonja Haines.

“Forcat ruse po përballen me mungesa të konsiderueshme në municione dhe janë nën kufizime të konsiderueshme të personelit”, shtoi ajo. “Nëse Rusia nuk nis një mobilizim i detyrueshëm dhe nuk siguron furnizime të konsiderueshme me municione, përtej dërgesave ekzistuese që vijnë nga Irani e nga vende të tjera, do të jetë gjithnjë e më sfiduese për ta, që të kryejnë operacione sulmuese, qofshin këto edhe modeste”, shtoi ajo.

Zonja Haines, duke i bërë jehonë një paralajmërimi nga dëshmia e saj para Kongresit në muajin mars, tha se Rusia dhe Ukraina janë ngërthyer në një “luftë brutale, në të cilën asnjë ushtri nuk ka një avantazh absolut”.

Ukraina, tha ajo, mbetet e varur nga ndihma ushtarake perëndimore për të zbehur avantazhin që ka Rusia, ndërkohë që Kremlini po detyrohet të mbështetet më shumë tek kërcënimet dhe taktikat asimetrike, për shkak të degradimit të forcave tokësore të tij. Forcat tokësore të Rusisë “po mbështeten në rezerva dhe pajisje rezervë”, tha gjeneral lejtnant Scott Berrier, drejtor i Agjencisë së Zbulimit Ushtarak.

“Atyre do t’u duhet kohë për të rimarrë veten, u tha ai ligjvënësve ndërsa dëshmonte përkrah zonjës Haines. Vlerësimet shkojnë nga 5 deri në 10 vjet, duke parë mënyrën se si po ndikojnë sanksionet tek ata dhe tek aftësia e tyre për të rikthyer teknologjinë sërish në funksionim.
Opsioni bërthamor
Zoti Berrier, paralajmëroi se megjithatë degradimin e forcave tokësore ruse, kjo nuk duhet të shihet si një tregues dobësie i përgjithshëm. “Edhe pse forcat e tyre tokësore janë tashmë të degraduara, ata do t’i rindërtojnë shpejt”, tha ai, duke e cilësuar Moskën ende një kërcënim madhor, për shkak të kapaciteteve të saj bërthamore, që nuk janë provuar ende.

Të pyetur nëse zoti Putin mund të jetë i prirur të përdorë armë bërthamore për të ndryshuar rrjedhën e luftës në Ukrainë, zyrtarët e zbulimit amerikan thanë se deri tani, nuk ka gjasa. “Kemi menduar një sërë skenarësh”, u tha zoti Berrier ligjvënësve. “Për momentin, ne mendojmë se nuk ka gjasa”. “Nga perspektiva e komunitetit të zbulimit është shumë e pamundur”, -shtoi zonja Haines.

Sulmi me dronë ndaj Kremlinit

Ashtu sikurse edhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, zonja Haines dhe zoti Berrier kërkuan të tregohet kujdes në lidhje me akuzën e Rusisë se pas sulmit me dronë këtë javë ndaj Kremlinit, si pjesë e një përpjekjeje për të vrarë Presidentin Putin, qëndron Ukraina.

“Qeveria ukrainase e ka hedhur poshtë një gjë të tillë dhe në këtë fazë, ne nuk kemi informacion që do të na jepte mundësinë të ofronim një vlerësim të pavarur mbi këtë çështje“, tha ajo. Zonja Haines tha se është një fakt i ditur se Vladimir Putini zakonisht nuk e kalon natën në Kremlin, gjë që hedh disa dyshime mbi pretendimin rus. Zoti Berrier tha gjithashtu se disa fotografi sugjeronin se sulmi ishte organizuar me dronë, të cilët kontrolloheshin nga dikush në tokë, e në fushëpamjen e Kremlinit./VOA

putin kremlini