TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Dhjetor 2025, 20:06

Inteligjenca Artificiale mund të ndikojë mbi mendjet e votuesve?!

Shkruar nga Alex Wilkins

Inteligjenca Artificiale mund të ndikojë mbi mendjet e votuesve?!

Studiuesit eksploruan aftësinë e Inteligjencës Artificiale për të ndryshuar opinionet mbi politika specifike.

A po shënon fuqia bindëse e chatbot-eve të Inteligjencës Artificiale, fillimin e fundit të demokracisë? Në një nga sondazhet më të mëdha të kryera deri më sot mbi mënyrën se si këto mjete mund të ndikojnë në qëndrimet e votuesve, chatbot-et e Inteligjencës Artificiale ishin më bindës sesa mjetet tradicionale të fushatës politike, përfshirë reklamat dhe po aq bindës sa aktivistët politikë me përvojë.

Gjithsesi, disa studiues identifikojnë arsye për të qenë optimistë mbi mënyrën se si mjetet e Inteligjencës Artificiale i ndryshuan opinionet. Ne kemi parë tashmë se chatbot-et e Inteligjencës Artificiale si ChatGPT mund të jenë shumë bindës, duke i bindur teoricienët e konspiracionit se besimet e tyre janë të pasakta, dhe duke fituar më shumë mbështetje për një pikëpamje kur përballen me debatues njerëzorë.

Kjo fuqi bindëse, ka çuar natyrshëm në frikën se Inteligjenca Artificiale, mund ta vendosë gishtin e saj dixhital në peshore në zgjedhje të rëndësishme, apo se aktorët e këqij mund t’i përdorin këta chatbot, për t’i orientuar përdoruesit drejt kandidatëve të tyre të preferuar politikë.

Lajmi i keq është se këto frikëra mund të mos jenë krejtësisht të pabaza. Në një studim, me mijëra votues që morën pjesë në zgjedhjet e fundit presidenciale në SHBA, Kanada dhe Poloni, David Rand nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets dhe kolegët e tij zbuluan se chatbot-et e Inteligjencës Artificiale, ishin çuditërisht shumë efektivë në bindjen e njerëzve që të votonin për një kandidat të caktuar apo të ndryshonin mbështetjen e tyre për një çështje të caktuar.

Edhe për qëndrimet ndaj kandidatëve presidencialë, të cilat mendohet se janë shumë të vështira për t’u ndryshuar dhe të konsoliduara, bisedat me këto modele mund të kenë efekte shumë më të mëdha nga sa do të prisnit bazuar në punën e mëparshme”- thotë Rand.

Për testet zgjedhore në SHBA, Rand dhe ekipi i tij u kërkuan 2.400 votuesve të tregonin se cila ishte çështja e tyre më e rëndësishme politike, ose të përmendnin karakteristikën personale të një presidenti të mundshëm që ishte më e rëndësishme për ta.

Pastaj, çdo votuesi iu kërkua të vlerësonte në një shkallë 100 pikësh preferencën e tij për dy kandidatët kryesorë Donald Trump dhe Kamala Harris dhe të jepnin përgjigje me shkrim për pyetjet që synonin të kuptonin përse ata i mbanin këto preferenca.

Këto përgjigje iu dhanë më pas një chatbot-i me Inteligjencë Artificiale, siç është ChatGPT, dhe robotit iu ngarkua detyra ose të bindte votuesin që të rriste mbështetjen dhe gjasat e votimit për kandidatin që ai favorizonte, ose ta bindte atë që të mbështeste kandidatin më të pa favorizuar në garë.

Chatbot-i e bëri këtë përmes një dialogu që zgjati gjithsej rreth 6 minuta, i përbërë nga 3 pyetje dhe përgjigje. Në vlerësimet pas ndërveprimeve me inteligjencën artificiale dhe në analizën pasuese një muaj më vonë, Rand dhe ekipi i tij zbuluan se njerëzit i ndryshuan përgjigjet e tyre me një mesatare prej rreth 2.9 për qind për kandidatët politikë.

Po ashtu, studiuesit eksploruan aftësinë e Inteligjencës Artificiale për të ndryshuar opinionet mbi politika specifike. Ata zbuluan se AI mund të ndryshonte me rreth 10 për qind opinionet e votuesve mbi legalizimin e drogave psikedelike, duke e bërë votuesin ose më shumë ose më pak të prirur ta mbështeste këtë veprim.

Reklamat video e zhvendosën treguesin vetëm rreth 4.5 për qind, ndërsa ato me tekst e zhvendosën atë vetëm 2.25 për qind. Madhësia e këtyre efekteve është e habitshme, thotë Sasha Altaj nga Universiteti i Zyrihut në Zvicër.

Krahasuar me fushatat klasike politike dhe bindjen politike, efektet që ata raportojnë në gazeta janë shumë më të mëdha dhe më të ngjashme me ato që zbulon kur ke ekspertë që flasin me njerëzit ballë për ballë”, thotë Altay.

Megjithatë, një gjetje më inkurajuese nga puna është se këto bindje ishin kryesisht për shkak të vendosjes së argumenteve faktike, dhe jo nga personalizimi, i cili përqendrohet në shënjestrimin e informacionit tek një përdorues bazuar në informacionin personal rreth tij, për të cilin përdoruesi mund të mos jetë në dijeni se i është vënë në dispozicion operativëve politikë.

Në një studim të veçantë me gati 77.000 njerëz në Britani, duke testuar 19 modele të mëdha gjuhësore në 707 çështje të ndryshme politike, Rand dhe kolegët e tij zbuluan se AI ishin më bindëse kur përdornin pretendime faktike, dhe më pak kur përpiqeshin të personalizonin argumentet e tyre për një person të caktuar.

“Në thelb, është vetëm dhënia e argumenteve bindëse, ajo që i bën njerëzit të ndryshojnë mendimet e tyre”- shprehet Rand. “Ky është një lajm i mirë për demokracinë. Sepse do të thotë që njerëzit mund të ndikohen nga faktet dhe opinionet më shumë sesa nga teknikat e personalizimit apo manipulimit” - thotë Altaj.

Do të jetë e rëndësishme që këto rezultate të përsëriten në më shumë kërkime, thotë Klaes De Vrese nga Universiteti i Amsterdamit në Holandë. Por edhe nëse ato përsëriten mjediset artificiale të këtyre studimeve, ku njerëzve iu kërkua të bashkëvepronin gjatë me chatbot-et, mund të jenë shumë të ndryshme nga mënyra se si njerëzit përballen me Inteligjencën Artificiale në botën reale, thotë ai.

Përparimet në inteligjencën artificiale gjeneruese nënkuptojnë se imazhet, videot, audiot dhe robotët e rremë tani janë kudo. Por studimet kanë zbuluar mënyrat më të mira për të dalluar nëse diçka është e vërtetë.

“Nëse i vendos njerëzit në një mjedis eksperimental dhe u kërkon atyre që, në një mënyrë shumë të përqendruar, të kenë një bashkëveprim rreth politikës, atëherë kjo ndryshon pak ose aspak nga mënyra se si shumica prej nesh bashkëveprojmë me politikën, qoftë me miqtë apo bashkëmoshatarët” - thotë ai.

Megjithatë sipas De Vrese, ne po shohim gjithnjë e më shumë prova se njerëzit po përdorin chatbot-e të Inteligjencës Artificiale për këshilla për votimet politike. Një anketë me më shumë se 1.000 votues holandezë për zgjedhjet parlamentare të këtij viti, zbuloi se rreth 1 në 10 persona do të konsultoheshin me një Inteligjencën Artificiale për këshilla mbi kandidatët politikë, partitë ose çështjet zgjedhore.

Kjo nuk është e parëndësishme, veçanërisht kur zgjedhjet po afrohen”- thotë de Vrese.

Edhe nëse njerëzit nuk kanë ndërveprime të zgjatura me chatbot-et, megjithatë, futja e IA-së në procesin politik është e pashmangshme, thotë de Vrese, që nga politikanët që kërkojnë mjetet për këshilla politike e deri tek AI që shkruan reklama politike.

Duhet të pranojmë faktin se si studiues ashtu edhe si shoqëri, IA gjeneruese është tani një pjesë integrale e procesit tonë zgjedhor” - thotë ai./ Përshtati "Pamfleti"

Lini një Përgjigje