
Zyrtarët iranianë reaguan ashpër ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të goditur ishullin Kharg, një qendër kyçe për eksportet e naftës së Iranit.
Ebrahim Rezaei, zëdhënës i Komitetit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Parlamentin iranian, publikoi një mesazh sfidues në rrjetin social X, duke iu drejtuar SHBA-së.
“Ejani, ne po iu presim dhe ju premtojmë se asnjë ushtar amerikan nuk do të kthehet i gjallë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, edhe ish-ministri i Jashtëm i Iranit, Ali Akbar Velayati, reagoi ndaj zhvillimeve të fundit, duke akuzuar Uashingtonin për rritje të tensioneve në rajon.
“Irani kishte paralajmëruar më parë se ‘rajoni nuk është vend për lojërat e fatit politik të kombeve të vogla’” dhe se “qëndron me gishtin në këmbëz për të pastruar rajonin”, u shpreh ish-ministri.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara mes Uashingtonit dhe Teheranit, pas kërcënimeve të Trump për një sulm të mundshëm ndaj ishullit Kharg, një pikë strategjike për ekonominë iraniane për shkak të rolit të tij në eksportet e naftës.
Lini një Përgjigje