
Irani pretendon se nuk po sulmon vendet e Lindjes së Mesme, por vetëm bazat dhe instalimet ushtarake amerikane që ndodhen në territorin e tyre. Kështu u shpreh ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për NBC.
Sipas kryediplomatit iranian, objektivat e Teheranit janë ekskluzivisht infrastruktura ushtarake e Shteteve të Bashkuara dhe sipas tij, “fatkeqësisht është e vendosur në territorin e vendeve fqinje”. Araghchi theksoi se veprimet e Iranit janë një reagim ndaj sulmeve që, sipas tij, janë ndërmarrë nga SHBA dhe Izraeli.
Ai bëri të ditur gjithashtu se presidenti iranian Masoud Pezeshkian u ka kërkuar ndjesë vendeve arabe që mund të jenë prekur nga sulmet iraniane, duke theksuar se ato janë përballur me pasoja për shkak të “agresionit amerikan dhe kundërpërgjigjes së Iranit”.
Në të njëjtën intervistë, Araghchi deklaroi se ish-presidenti amerikan Donald Trump është ai që duhet të kërkojë falje për “vrasjet dhe shkatërrimet” që, sipas tij, kanë ndodhur në rajon.
Sa i përket mundësisë për një armëpushim, ministri iranian u shpreh se para se Teherani të shqyrtojë një hap të tillë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duhet të sqarojnë arsyet pse nisën sulmet. Ai përsëriti se, sipas Iranit, konflikti i është imponuar vendit dhe se veprimet e ndërmarra nga Teherani janë “akte të ligjshme vetëmbrojtjeje”.
Lini një Përgjigje