Vendimi për liderin e ri suprem të Iranit është marrë në heshtje nga klerikët e Teheranit. Emri mbahet sekret, ndërsa rajoni ndodhet në prag përshkallëzimi dhe fuqitë e mëdha po vëzhgojnë me ankth tranzicionin më të rrezikshëm të pushtetit që nga revolucioni i vitit 1979...
Vendimi për zgjedhjen e liderit të ri suprem të Iranit është marrë. Por fakti që emri mbahet ende i fshehtë është treguesi më i qartë se sa i brishtë është momenti politik në Teheran dhe sa e tensionuar është situata gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve të cituara nga media rajonale dhe iraniane, Asambleja e Ekspertëve, organi fetar që ka autoritetin kushtetues për të zgjedhur liderin suprem, ka përfunduar votimin dhe ka arritur një konsensus për pasardhësin e Ajatollah Ali Khameneit. Por në një zhvillim të pazakontë për sistemin iranian, emri nuk është shpallur publikisht. Arsyeja është e qartë: tranzicioni po zhvillohet në një klimë kërcënimi të drejtpërdrejtë ushtarak dhe në një moment kur regjimi përballet me presion të jashtëm dhe të brendshëm njëkohësisht.
Lideri suprem në Iran nuk është një figurë ceremoniale. Ai është autoriteti absolut i Republikës Islamike: komandant i forcave të armatosura, kontrollues i politikës së jashtme, i shërbimeve të inteligjencës dhe i aparatit të sigurisë. Në praktikë, presidenti dhe qeveria janë struktura dytësore krahasuar me pushtetin e liderit suprem. Kjo do të thotë se zgjedhja e pasardhësit nuk është thjesht një proces fetar apo institucional; është një vendim që do të përcaktojë drejtimin strategjik të Iranit për dekadat e ardhshme.
Problemi kryesor për elitën iraniane është se sistemi nuk ishte ndërtuar për një tranzicion të tillë në një moment krize. Që nga revolucioni i vitit 1979, Republika Islamike ka pasur vetëm dy liderë supremë: Ajatollah Ruhollah Khomeini dhe më pas Ali Khamenei. Kjo stabilitet i gjatë ka krijuar një strukturë pushteti shumë të centralizuar, ku balancat midis klerikëve, Gardës Revolucionare dhe institucioneve politike mbaheshin nga autoriteti personal i liderit.
Tani kjo figurë unifikuese nuk ekziston më.
Në prapaskenë po zhvillohet një betejë e heshtur mes tre blloqeve kryesore të pushtetit në Iran: establishmentit fetar tradicional, Gardës Revolucionare Islamike dhe elitave politike konservatore që kontrollojnë institucionet shtetërore. Çdo zgjedhje e liderit të ri duhet të balancojë interesat e këtyre grupeve, përndryshe sistemi mund të hyjë në një fazë rivaliteti të brendshëm.
Në këtë kontekst, emri që përmendet më shpesh është Mojtaba Khamenei, djali i liderit të ndjerë. Ai konsiderohet prej vitesh një nga figurat më me ndikim në prapaskenat e pushtetit iranian dhe ka marrëdhënie të forta me Gardën Revolucionare. Një zgjedhje e tij do të garantonte vazhdimësi për elitën aktuale dhe do të ruante kontrollin e strukturave të sigurisë mbi shtetin.
Por një pasardhje familjare do të ishte një paradoks historik për Republikën Islamike. Revolucioni i vitit 1979 u bë pikërisht për të rrëzuar monarkinë e Shahut dhe për të krijuar një sistem teokratik të bazuar në autoritetin fetar, jo në trashëgimi familjare. Nëse djali i Khameneit merr drejtimin e shtetit, regjimi rrezikon të përballet me akuza për transformim në një “monarki fetare”, diçka që mund të minojë legjitimitetin ideologjik të sistemit.
Nga ana tjetër, një figurë kompromisi nga radhët e klerikëve mund të duket më e pranueshme institucionalisht, por do të kishte një problem tjetër: mungesën e autoritetit real për të kontrolluar Gardën Revolucionare, e cila sot është struktura më e fuqishme ushtarake dhe ekonomike në vend.
Pikërisht këtu qëndron dilema strategjike e Iranit: sistemi ka nevojë për një lider që të jetë njëkohësisht klerik me legjitimitet fetar dhe figurë e fortë politike që mund të kontrollojë aparatin e sigurisë. Kombinimi i këtyre dy elementeve është gjithnjë e më i rrallë në elitën aktuale.
Në planin gjeopolitik, tranzicioni në Teheran po ndiqet me vëmendje të jashtëzakonshme nga SHBA, Izraeli, Rusia dhe Kina. Irani është një nga aktorët kyç të arkitekturës së sigurisë në Lindjen e Mesme dhe çdo dobësi e brendshme mund të ndryshojë balancat rajonale.
Izraeli e konsideron Iranin kërcënimin më të madh strategjik dhe çdo pasiguri në Teheran mund të shihet si një mundësi për të dobësuar regjimin. Nga ana tjetër, Rusia dhe Kina kanë interes që sistemi iranian të mbetet stabil, sepse Teherani është një partner i rëndësishëm në arkitekturën anti-perëndimore që po formohet gradualisht në Eurazi.
Për këtë arsye, zgjedhja e liderit të ri suprem nuk është thjesht një çështje e brendshme iraniane. Është një moment që mund të përcaktojë nëse Irani do të hyjë në një fazë radikalizimi edhe më të fortë, apo në një periudhë pragmatizmi të detyruar nga presioni ekonomik dhe diplomatik.
Një gjë është e sigurt: tranzicioni i pushtetit në Teheran është ndoshta momenti më i rrezikshëm për Republikën Islamike që nga themelimi i saj. Dhe mënyra se si do të menaxhohet kjo fazë do të tregojë nëse sistemi është ende i aftë të mbijetojë krizave, apo nëse po hyn në fazën më të paqëndrueshme të historisë së tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje