Në Iran, vendimmarrja kryesore nuk është më në duart e liderit suprem, por te një grup gjeneralësh të Gardës Revolucionare. Sipas raportimeve të The New York Times, Mojtaba Khamenei ka rol të kufizuar dhe mbështetet te një “këshill” ushtarak për vendimet mbi sigurinë, luftën dhe diplomacinë
Eliminimi i Ajatollah Ali Khameneit shënoi fillimin e një forme të re të udhëheqjes kolektive në Iran, me një rol të shtuar për Gardën Revolucionare.
Kur Ajatollah Ali Khamenei drejtonte Iranin si lider suprem, ai ushtronte autoritet të plotë mbi të gjitha vendimet për luftën, paqen dhe negociatat me Shtetet e Bashkuara. Djali dhe pasardhësi i tij nuk luan të njëjtin rol.
Ai nuk është më lideri suprem siç ka qenë që nga revolucioni i vitit 1979, pasi Garda Revolucionare (Pasdaranët) ka tashmë në praktikë pushtetin në Iran. Këtë e raporton The New York Times në një artikull të zgjeruar, i cili konfirmon informacionet e javëve të fundit për hierarkinë e re në Teheran.
Raportimi duket se ka ndikuar edhe te presidenti amerikan Donald Trump, i cili në një postim foli për një “konflikt të brendshëm mes linjës së ashpër dhe moderatëve”.
Ajatollah Mojtaba Khamenei është një figurë enigmatike, që nuk është shfaqur publikisht dhe zëri i tij nuk është dëgjuar që nga marrja e detyrës në mars. Në vend të tij, një grup i fortë komandantësh të Gardës Revolucionare dhe figura të lidhura me ta përbën bërthamën kryesore të vendimmarrjes për çështjet e sigurisë, luftës dhe diplomacisë.
“Mojtaba e drejton vendin si një kryetar bordi,” deklaroi Abdolreza Davari, politikan dhe ish-këshilltar i lartë i Mahmud Ahmadinejad, i cili e njeh Khamenein.
“Ai mbështetet shumë në këshillat dhe udhëzimet e anëtarëve të këtij këshilli, dhe të gjithë së bashku marrin vendimet. Gjeneralët janë anëtarët e këtij këshilli,” shtoi ai në një intervistë telefonike nga Teherani.
Ky përshkrim i strukturës së re të pushtetit në Iran bazohet në intervista me gjashtë zyrtarë të lartë iranianë, dy ish-zyrtarë, dy anëtarë të Gardës Revolucionare, një klerik të lartë dhe persona të tjerë me njohuri për sistemin e brendshëm të pushtetit. Të gjithë folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, sipas raportimit.
Mojtaba Khamenei, i zgjedhur nga një këshill klerikësh si lider i ri suprem, ndodhet në izolim që nga sulmet ajrore të 28 shkurtit nga forcat amerikane dhe izraelite ndaj kompleksit ku jetonte, ku ndodheshin edhe familjarët e tij. Babai i tij, bashkëshortja dhe djali humbën jetën.
Qasja ndaj tij është shumë e kufizuar dhe ai ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore për shkak të plagëve të marra nga bombardimet.
Sipas burimeve, Khamenei i është nënshtruar tre ndërhyrjeve kirurgjikale në këmbë dhe pritet të pajiset me një protezë. Ai gjithashtu ka kryer një operacion në dorë.
Fytyra dhe buzët e tij kanë pësuar djegie të rënda, gjë që e vështirëson të folurin, ndërsa pritet të ketë nevojë edhe për ndërhyrje plastike, sipas zyrtarëve të cituar.
Si rezultat, vendimet kryesore në Iran merren tashmë nga një grup komandantësh të Gardës Revolucionare dhe figura të afërta me regjimin. Presidenti Masoud Pezeshkian nuk është pjesë e këtij rrethi dhe është kufizuar në një rol kryesisht formal, kryesisht për çështje të brendshme.
Edhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi nuk mban më rolin qendror si negociator, pasi është lënë në hije nga kryetari i parlamentit, Mohammad Ghalibaf, sipas të njëjtit raportim të gazetës amerikane. /Pamfleti
Lini një Përgjigje