Italia planifikon të dërgojë ndihmë për mbrojtjen ajrore në vendet e Gjirit, tha të enjten kryeministrja Giorgia Meloni.
“Ashtu si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, Italia synon të dërgojë ndihmë në vendet e Gjirit, konkretisht në sektorin e mbrojtjes dhe veçanërisht në mbrojtjen ajrore”, tha znj. Meloni për stacionin radiofonik RTL 102.5.
“Kjo nuk është vetëm sepse ato janë vende mike, por kryesisht sepse dhjetëra mijëra italianë jetojnë në rajon dhe rreth 2,000 ushtarë italianë janë vendosur atje - njerëz që ne duam dhe duhet t'i mbrojmë”, shtoi ajo.
Ajo kritikoi veprimet e Iranit, duke thënë se Republika Islamike “po bombardon vendet fqinje, përfshirë ato që kishin punuar për të siguruar një marrëveshje mbi programin bërthamor iranian”. Sipas saj, rifillimi i negociatave për programin bërthamor do të jetë i vështirë nëse Irani nuk ndalon sulmet ndaj vendeve të Gjirit, të cilat sipas saj rrezikojnë të nxisin përshkallëzimin e konfliktit.
Meloni sqaroi gjithashtu se deri më tani Italia nuk ka marrë kërkesa nga Shtetet e Bashkuara për përdorimin e bazave ushtarake amerikane në territorin italian për operacione të lidhura me situatën aktuale.
Ajo theksoi se përdorimi i këtyre bazave rregullohet nga marrëveshje dypalëshe që datojnë që nga viti 1954 dhe janë përditësuar ndër vite.
Megjithatë, Italia së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Gjermaninë synon të dërgojë ndihmë për vendet e Gjirit, kryesisht në fushën e mbrojtjes dhe mbrojtjes ajrore.
Sipas kryeministres, kjo lidhet jo vetëm me marrëdhëniet miqësore me këto vende, por edhe me praninë e qytetarëve italianë dhe personelit ushtarak në rajon.
“Ka dhjetëra mijëra italianë në atë zonë dhe rreth dy mijë ushtarë që duhet t’i mbrojmë. Gjiri është gjithashtu jetik për furnizimet”, tha ajo.
Në intervistë, Meloni komentoi edhe situatën në Gaza, duke kritikuar opozitën e majtë në Itali për atë që e cilësoi si qëndrime kontradiktore ndaj konfliktit. Ajo theksoi se Italia synon të luajë një rol në përpjekjet për paqe dhe për të kthyer një armëpushim të brishtë në një marrëveshje më të qëndrueshme.
Ndërkohë lufta në Lindjen e Mesme vazhdon në ditën e gjashtë.Garda Revolucionare pretendon se ka goditur një anije cisternë amerikane në Gjirin Persik,
Ministri i Jashtëm iranian kërcënon SHBA-në se do të "ndjejë keqardhje të hidhur për fundosjen e fregatës iraniane në Sri Lanka".
Irani thotë se "ne nuk qëlluam një raketë drejt Turqisë, ne e respektojmë integritetin e saj territorial, është një mik dhe fqinj".
Një valë e re bombardimesh në Teheran u njoftua nga IDF të enjten në mëngjes.
Iranianët thonë se qëlluan me raketa selinë e forcave kurde në rajonin autonom të Kurdistanit, në Irak.
Lini një Përgjigje