
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka komentuar përpjekjet për të organizuar një takim mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky.
Trump ka thënë se do të preferonte të mos ishte i pranishëm në takim. Më tej ai ka përdorur një krahasim metaforik për raportin mes tyre, teksa tha se Putin dhe Zelensky janë si vaji me uthullën, nuk shkojnë mirë.
“Do të shohim nëse Putini dhe Zelensky do të punojnë së bashku. E dini, kjo është pak si vaji me uthullën. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye të qarta, por do ta shohim, dhe pastaj do të shohim nëse do të duhet të jem atje apo jo. Do të preferoja të mos isha. Do të preferoja që ata të kishin një takim dhe të shihnim se si mund t’ia dilnin”, theksoi ai.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov i tha NBC News se aktualisht nuk ka plane për takimin e Putinit me Zelenskyn, por udhëheqësi rus do të jetë gati për të sapo të përgatitet një axhendë.
Presidenti Vladimir Putin i Rusisë dhe Presidenti Donald Trump i Shteteve të Bashkuara zhvilluan një takim në Alaska më 15 gusht. Më 18 gusht, Trump priti Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë në Uashington.
Në bisedime morën pjesë Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri britanik Keir Starmer, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministri italian Giorgia Meloni dhe Presidenti finlandez Alexander Stubb, si dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte.
Lini një Përgjigje