
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka deklaruar se presidenti Donald Trump është i fokusuar në arritjen e një “marrëveshjeje të madhe” me Iranin, duke përjashtuar mundësinë e një zgjidhjeje të kufizuar apo afatshkurtër.
Sipas tij, administrata amerikane synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të trajtojë në mënyrë themelore marrëdhëniet mes dy vendeve.
Referuar raportimeve të CBS News, Vance është shprehur se negociatorët kanë arritur “progres të konsiderueshëm” gjatë fundjavës në Pakistan, çka sugjeron për zhvillime konkrete në prapaskenë drejt një zgjidhjeje diplomatike.
Megjithatë, ai theksoi se presidenti Trump nuk është i interesuar për një “marrëveshje të vogël”, por për atë që e përshkroi si një “marrëveshje të madhe në stilin Trump”, me ndikim të qëndrueshëm në stabilitetin rajonal dhe global.
Vance pranoi gjithashtu nivelin e lartë të mosbesimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
“Nuk mund ta zgjidhësh këtë problem brenda natës,” tha Vance, sipas Reuters, duke nënvizuar se arritja e një marrëveshjeje kërkon kohë dhe angazhim të vazhdueshëm diplomatik.
Lini një Përgjigje