Seanca e sotme plenare nisi me debet mes deputetit Redi Muçi dhe kreut të Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla.
Nga foltorja e Kuvendit, Muçi deklaroi se në Strasburg nuk mund të nënshkruhet asnjë rezolutë e përbashkët pa u marrë në konsideratë kërkesat e protestuesve, ndërsa i bëri edhe një apel të drejtpërdrejtë Taulant Ballës. Muçi akuzoi Ballën se po tallet me protetsuesit, teksa i kujtoi se përballë ka rininë shqiptare.
“Një thirrje të fundit ia drejtoj Taulantit që çdo ditë merr fotot e orës 7 nga protesta dhe tallet me protestuesit. Kujdes se përballë nuk ke Saliun, por rininë shqiptare. Vazhdo me syleshtësinë tënde. Po jua kthej me fjalët e Viktor Hygosë. ‘Milord, po ju them se populli jam unë. Sot po më shtypni e tallni, por mjafton që akulli të kriset dhe gjithçka merr fund. Dridhuni milord’”, tha Muçi.
Në replikë, Taulant Balla kundërshtoi deklaratat e deputetit, duke thënë se ai nuk ka të drejtë të flasë në emër të popullit dhe se postimet e tij në rrjetet sociale nuk kanë pasur qëllim talljen me protestuesit, por sipas tij, pasqyrojnë zhvillimet në protestë.
“E para, ti ske asnjë të drejtë, as politike, as morale të flasësh në emër të popullit sepse të paktën në këtë sallë në emër të popullit ka një shumicë të caktuar nga vota e një viti më parë, ndërsa ti je thjesht dhe vetëm aksidentalisht pasi ke ardhur për shkak të dorëheqjes së një deputeti tjetër, ke ardhur hajdutçe. Nuk tallem me protestën, protesta kur nisi ishte e bukur. Meqë i ndiqni statuset e mia të orës 7, transparencë është ajo, tregon sesi kur hyri Saliu, Gonia, Qorri apo ndonjë tjetër, flamingot fluturuan dhe ngelën sorra si puna jote, e këtij tjetrit dhe Gones. Po ju kthej përgjigje të dyve. Gone, sqaro si mund të shesë një njeri një apartament 151 m2 për 15 mln euro. Petët e byrekut po hapen, siç u hapën edhe historitë e përfshirjes së lloj-lloj llumi. Flamingot janë zog shumë i pastër dhe nuk rri me llumin, prandaj ikën nga ju, llum”, ia ktheu Balla.
Lini një Përgjigje