TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Gusht 2025, 17:30

Jemi më larg paqes tani sesa ishim dy javë më parë!

Shkruar nga Dominic Waghorn

Jemi më larg paqes tani sesa ishim dy javë më parë!

Pjesa më e madhe e ngjarjeve të djeshme u përqendruan në përkëdheljen e egos së Donald Trump. Shumë persona në Kiev do të preferonin që atij t'i kujtoheshin disa fakte të forta rreth kësaj lufte. Vladimir Putinit nuk mund t'i zihet besë...

Zakonisht është e mençur të pritet që “pluhuri të ulet” para se të nxirren përfundime për këtë presidencë. Por, në pamje të parë, sot jemi më larg paqes në Ukrainë sesa dy javë më parë.

Dy javë më parë ekzistonte një konsensus: Vladimir Putini nuk do të ndalej veçse nën presion maksimal. Ai nuk kërkon thërrime territoresh, objektivi i tij është shuarja e të gjithë shtetit ukrainas dhe përfshirja e tij në “Rusinë e madhe”. Për ta ndalur, aleatët ishin pajtuar se duhej një armëpushim i menjëhershëm dhe sanksione shumë më të dhimbshme, sidomos mbi industrinë e naftës ruse. Europianët dhe republikanët në Kongres atëherë ishin në një mendje për këtë.

Por më pas erdhi “Alaska” dhe kthesa e Donald Trump. As armëpushim, as sanksione më të rënda. Pra, më pak presion mbi Kremlinin. Spektakli i djeshëm diplomatik në stil “reality show” në Uashington nuk e ndryshoi këtë qëndrim. Trump duket i rreshtuar me Putinin pikërisht në këto pika jetike.

Për më tepër, aleatët po fillojnë të pranojnë se Ukraina do të duhet të heqë dorë nga disa territore të pushtuara me forcë. Ky “humbje” tenton të zbutet me formulën se “vetëm Ukraina mund të vendosë për territorin e saj”, por realiteti është se mbi presidentin Volodymyr Zelenskyy po ushtrohet një presion i madh për të bërë lëshime.

Në këmbim, ofrohen garanci të paqarta sigurie. Liderët europianë po i kapen faktit se Trump nuk e përjashtoi përfshirjen e trupave amerikane në të ardhmen dhe madje la të kuptohej për një rol amerikan në arkitekturën e sigurisë pasluftës. Por për ukrainasit, kjo është ngushëllim i vogël. Ata e dinë se ky president ndryshon mendje shpesh, madje prish edhe marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara.

E vetmja gjë pozitive që mund të thuhet për takimin në Shtëpinë e Bardhë është se ai hapi rrugën për takime të tjera. Por për momentin, rruga drejt paqes duket edhe më e mjegullt. /Përshtatur nga “Sky News”

Lini një Përgjigje