Një protestë masive e organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson përfundoi me përplasje të dhunshme në qendër të Londrës, ku 26 oficerë policie mbetën të plagosur, katër prej tyre rëndë.
Protesta me moton “Unite the Kingdom” (Bashko Mbretërinë), tërhoqi deri në 150,000 pjesëmarrës, shumë prej të cilëve, sipas policisë, u përfshinë në akte dhune, duke hedhur shishe qelqi dhe sende të forta ndaj efektivëve. 25 persona u arrestuan për vepra të ndryshme penale, ndërkohë që policia paralajmëroi se numri i arrestimeve pritet të rritet.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood është zotuar se çdo person që rezulton të ketë marrë pjesë në aktivitet kriminal do të “përballet me të gjithë fuqinë e ligjit”, ndërsa policia njoftoi se të paktën 25 persona u arrestuan dhe 26 oficerë u plagosën, përfshirë katër që u lënduan seriozisht.
"Kushdo që ushtron dhunë dhe sulmon efektivët do të përballet me forcën e plotë të ligjit. Askush nuk është mbi ligjin”, tha minsitrja.
Nëpër rrugët e Londrës, u panë flamuj anglezë, huliganë dhe shumë punëtorë të klasës punëtore që kanë humbur besimin te laburistët.
Pjesëmarrësit brohorisnin për Robinson dhe për influencuesin amerikan Charlie Kirk, që u vra së fundmi.
Disa mbanin bluza me mbishkrime kundër emigrantëve si “Stop deportimit”. Në pankarta kishin shkruar pyetje të tipit: Pse të bardhët përbuzen, edhe pse paguajnë më shumë taksa?!
Ngjarja u shoqërua me një ndërhyrje surprizë me video nga Elon Musk, i cili kohët e fundit ka mbështetur idetë e ekstremit të djathtë në Perëndim.
"Duhet të largoni qeverinë e Starmer. Nuk mund të prisni 4 vjet të tjera për zgjedhjet, përndryshe dëmet do të jenë të pakthyeshme. Parlamenti duhet të shpërndahet! BBC është bashkëfajtore në shkatërrimin e Britanisë! Ose rebeloheni, ose do të vdisni!", ka thënë Musk.
Lini një Përgjigje