
Në një kohë që Serbia është përfshirë prej kohësh nga vala e protestave të dhunshme, presidenti Aleksandër Vuçiç iu drejtua qytetarëve dhe protestuesve me një videomesazh.
“Koha e çmendurisë do kalojë”, thekson Vuçiç ndërsa në video shfaqen imazhe të dhunshme nga protestat.
Në mesazhin drejtuar protestuesve, presidenti serb thotë se në mendjet e njerëzve nuk ka asgjë racionale dhe protestat i cilëson përrallë për gjoja studentët.
Vuçiç shton se protestuesit nuk kanë asnjë përgjigje kur pyeten se kush do ta menaxhojë vendin, problemet apo kush do të garantojë sigurinë dhe stabilitetin.
Një ditë më parë në 50 qytete të Serbisë, mbështetësit e Partisë Progresive Serbe të Presidentit Vuçiç organizuan protesta nën moton “Qytetarët kundër bllokadave”.
View this post on Instagram
Në rreth 50 qytete të Serbisë, mbështetësit e Partisë Progresive Serbe (SNS) të Presidentit Aleksandër Vuçiç organizuan dje protesta nën moton "Qytetarët kundër bllokadave".
Duke mbajtur pankarta me mbishkrime si: "Dua jetën time përsëri", "Dua një jetë normale", dhe "Dua Serbinë time përsëri", ata zhvilluan tubime si reagim ndaj protestave që janë zhvilluar muajt e fundit në vend.
Sipas mediave lokale, protestat nisën rreth orës 18:30 në qytete si Pançevo, Suboticë, Leskovc, Pozharevc, Vranjë, Bor dhe Rumë. Në shumicën e qyteteve, ato përfunduan për më pak se dy orë, ndërsa në disa prej tyre pati edhe marshe protestues, si në Leskovc dhe Rumë.
Presidenti Vuçiç, deklaroi më herët gjatë ditës se protestat nuk janë të drejtuara kundër qytetarëve, por kundër bllokadave dhe dhunës.
“Ne nuk jemi kundër njerëzve, është një protestë kundër bllokadave dhe dhunës”, tha Vuçiç.
Ndërkohë, studentët që prej muajsh janë në qendër të lëvizjeve kundër qeverisë, kanë reaguar ndaj protestës së mbështetësve të SNS. Përmes rrjeteve sociale, ata bënë thirrje për ta injoruar tubimin, duke paralajmëruar për provokime të mundshme.
“Ata do të provokojnë. Mendojnë se jemi naivë. Lërini të shkojnë. Le të qëllojnë me një armë bosh”, shkruan studentët në një postim në Instagram.
Lini një Përgjigje