Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se do të pranojë që takimi me Vladimir Putin për një marrëveshje paqeje të zhvillohet në Austri, Zvicër ose në Turqi.
Ky i fundit, sipas Zelenskyt, është një vend i NATO-s dhe e mirëpret si vend kandidat për të zhvilluar takimin e nivelit të lartë.
Në një dalje të fundit publike, ai thotë se takimi me Putin duhet të bëhet vetëm pasi të jenë mësuar dhe dakordësuar garancitë për sigurinë e Ukrainës nga Perëndimi. Këto duhet të sanksionohen në një marrëveshje dhe më pas mund të zhvillohet takimi me presidentin rus.
Moska ndërkohë ka kërkuar të drejtën e vetos në lidhje me garancitë e sigurisë për Ukrainën. Ministri i Jashtëm rus Lavrov një ditë më herët deklaroi se garancitë për sigurinë e Ukrainës duhet të jenë të pranueshme edhe për Rusinë.
Në një postim në facebook, Zelensky tha se Moska nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për nisjen e negociatave për paqen dhe se për këtë duhet presion.
Zelensky thotë se dëshiron të shohë një "përgjigje të fortë" nga SHBA-të nëse Vladimir Putin nuk pranon një takim.
"Ne po kërkojmë sanksione dhe masa shtesë tarifore nga SHBA-të, pasi ato do të kenë vërtet një ndikim.Shpresojmë që Amerika do të ndërmarrë hapa përpara", tha mes të tjerash Zelensky.
Sa i përket Budapestit, Zelenskyy tha se ishte “e ndërlikuar” sepse sipas tij ekziston “unitet i gjerë në të gjithë Evropën në mbështetjen e Ukrainës gjatë kësaj lufte, por, për të qenë i sinqertë, Budapesti nuk ka qenë dakord”.
"I kërkova Presidentit Trump të sigurohej që Budapesti të mos na bllokojë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidenti Trump premtoi se ekipi i tij do të punonte për këtë", shtoi ai.
Lini një Përgjigje