Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka deklaur se vendimi i 32 vendeve për të liruar rezervat e naftës do të "ulë ndjeshëm çmimet e naftës".
Ndërsa po vizitonte një biznes në Cincinnati, Trump e quajti luhatjen e çmimeve të naftës një "çështje lufte".
"Çmimet po bien shumë ndjeshëm," tha ai. "Nafta do të ulet. Kjo është thjesht një çështje lufte që ndodh. Pothuajse mund ta parashikosh. Do të thoja që u rrit pak më pak nga sa mendonim. Do të bjerë më shumë nga sa ne, nga sa kushdo e kupton.", tha Trump.
Më vonë ai tha se SHBA-të do të "shohin shumë fort" Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar: "Ngushtica është në gjendje të shkëlqyer. Ne i kemi eliminuar të gjitha anijet e tyre. Ata kanë disa raketa, por jo shumë.", u shpeh Trump.
Ndërkohë çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë vazhduar të rriten, duke arritur rreth 100 dollarë për fuçi, pavarësisht përpjekjeve të vendeve kryesore për të stabilizuar tregun përmes lirimit të rezervave strategjike.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, ku bëjnë pjesë edhe Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar njoftoi se 32 vendet anëtare kanë rënë dakord të lirojnë rreth 400 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente. Kjo sasi përfaqëson afërsisht katër ditë konsum global, një ndërhyrje e konsideruar e madhe, por që analistët thonë se nuk mund të përsëritet shpesh.
Megjithatë, tregjet mbeten të tensionuara për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.
Gjatë natës u raportuan shpërthime në të paktën dy cisterna të huaja në Gjirin Persik, ndërsa Irani ka intensifikuar sulmet ndaj anijeve në këtë zonë.
Garda Revolucionare e Iranit i paralajmëroi armiqtë e Iranit se nuk do të arrijnë ta ulin artificialisht çmimin e naftës dhe se së shpejti ai mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi.
Në të njëjtën kohë, ushtria e Izraelit ka nisur një “valë sulmesh në shkallë të gjerë” kundër objektivave të Hezbollahur në Beirut, duke njoftuar se ka goditur të paktën 10 struktura dhe ka kapur raketa të lëshuara nga Irani.
Ndërkohë, Arabia Saudite deklaroi se ka rrëzuar 18 dronë, ndërsa autoritetet në Dubai thanë se askush nuk u plagos pasi një dron ra mbi një ndërtesë apartamentesh.
Lini një Përgjigje