Gazetarët ukrainase Liudmyla Lukianchenko dhe Tetiana Kraselnykova që janë strehuar në Kosovë thonë se njohja e Kosovës nga Ukraina është çështje kohe.
“Unë vlerësoj se është thjesht çështje e kohës që Ukraina ta njohë Kosovën, sepse dhe Ukraina e ka gjetur veten në një pozitë të tillë”, tha Lukianchenko në një intervistë .
“Po përmend rastin e Krimesë e cila u morr nga ne në vitin 2014. Gjithashtu, mund të rikujtoni se si ishte situata në prag të luftës, kur edhe të gjitha vendet evropiane lejuan në heshtje agresionin e Rusisë në Ukrainë”.
Por, ajo thotë se “megjithatë tani jemi në kohë lufte dhe jemi duke u marrë me çështje krejtësisht tjera, kryesisht duke bindur partnerët tanë se nuk jemi ne pala që po e shkakton konfliktin”.
Edhe gazetarja tjetër nga Ukraina Tetiana Kraselnykova, është e bindur që njohja e Kosovës nga Ukraina do vije shumë shpejt.
Për lajmin pozitiv se Ukraina mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, ka reaguar edhe kreu i Komisionit për politikë të jashtme të Ukrainës Oleksandr Merezhko.
Ai tha për RTK-në se vendimi final i takon presidentit Volodymyr Zelensky.
“Para se të marrim një vendim të tillë duhet të peshojmë pluset dhe minuset për t’i marrë në konsideratë dhe pasojat politike. Por, vendimi përfundimtar i takon vetëm presidentit, jo parlamentit. Ne deputetët nuk vendosim për këtë çështje, megjithatë, ne përfaqësojmë popullin, ne kemi zërin e popullit të Ukrainës, dhe njerëzit në Ukrainë e shohin shumë qartë se Kosova është në anën e Ukrainës dhe për Serbinë ju e dini se Serbia nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Në Serbi shohim simpati ndaj Rusisë. Në Serbi, për fat të keq, shohim një zhvillim të marrëdhënieve me Rusinë, i cili është shqetësues për ne, dhe sigurisht që ka ndikim tek votuesit tanë”, ka deklaruar deputeti Merezhko.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij para kabinetit qeveritar tha se Ukraina është përfshirë në letrën që mbi 50 deputetë ia dërguan kryediplomatëve të BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar qasje më të ekuilibruar dhe më proporcionale të bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën dhe Serbinë.
Lini një Përgjigje