
Banorët e Mauit në Hawaii përballen sot me një peizazh të trishtueshëm shtëpish të rrafshuara, makinash të shkrumbuara dhe rrugëve të mbuluara me hi, aty ku dikur ngriheshin ndërtesa ndërsa bëjnë bilancin e jetëve të tyre të shkatërruara si pasojë e zjarrit në ishullin Hawaii.
Bilanci ka shkuar në 89 i të vdekurve ndërkohë që guvernatori i Hawaiot thotë se bilanci mund të rritet edhe më tej pasi qindra persona janë ende të pagjetur
Pamjet e kapura nga një dron tregojnë shkatërrimin e shkaktuar nga zjarret që përfshiu qytetin historik të Lahaina, në ishullin Hawaii të Maui.
Dhjetra njerëz në ishull kanë vdekur nga zjarret, ndërsa shumë ndërtesa dhe automjete janë shkatërruar gjithashtu. Qyteti bregdetar tërheq rreth dy milionë turistë në vit.
Zjarret janë fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse e shtetit që nga një cunami në vitin 1946, që shkaktoi vdekjen e më shumë se 150 njerëzve në ‘Big Island’, që nxiti zhvillimin e sistemit të emergjencës në të gjithë territorin që përfshin sirenat, të cilat bien çdo muaj për të testuar gatishmërinë e tyre.
Katër ditë pas katastrofës, mbetet e paqartë nëse banorët kishin marrë ndonjë paralajmërim përpara se zjarri të përpinte shtëpitë e tyre.
“Zakonisht përdoren sirenat e uraganit ose bëjnë diçka për të na paralajmëruar. Kësaj radhe asgjë. Të gjithë po evakuohen duke u mbështetur në fjalë goje. Kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz kishin dalë në rrugë, thjesht rrinin jashtë, të pafuqishëm”, thotë Sydney Carney, banore e qytetit Lahaina.
Presidenti Joe Biden gjatë javës urdhëroi që të sigurohet ndihma federale pasi zjarret shkatërruan qytetin turistik në ishullin Maui.
“Sapo kemi miratuar një deklaratë për fatkeqësi madhore për Hawaiin, e cila do të ndihmojë njerëzit që kanë nevojë dëshpëruese për ndihmë tani. Kushdo që ka humbur një të dashur, shtëpia e të cilit është dëmtuar ose shkatërruar, do të marrë ndihmë menjëherë”, tha presidenti amerikan, Joe Biden.
Disa njerëz u detyruan të hidheshin në Oqeanin Paqësor për të shpëtuar. Evakuimi i Lahainas u ndërlikua nga vendndodhja e saj mes bregdetit dhe kodrave, që do të thotë se në rastin më të mirë kishte vetëm dy rrugëdalje.
Lini një Përgjigje