Bota14 Maj 2023, 14:45

Kina mund të ndërmjetësojë paqen në Ukrainë

Shkruar nga Pamfleti
Kina mund të ndërmjetësojë paqen në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping

Prej se Rusia ka nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, Kina ka mbajtur pozicion neutral. Nuk e ka dënuar sulmin rus, por u ka bërë thirrje të dyja palëve që ta zgjidhin konfliktin.

Në një takim javën e kaluar, ministri i Jashtëm kinez, Qin Gang, i ka thënë homologut rus, Sergei Lavrov, se Pekini do që t’i ruajë komunikimet me Moskën, në mënyrë që të japë një kontribut të rëndësishëm politik në zgjidhjen e krizës.

Vetëm pak ditë më herët, presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka biseduar në telefon me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky - për herë të parë që nga nisja e pushtimit rus. Zelensky ka thënë se biseda ka qenë e gjatë dhe domethënëse.

“Këto biseda ofrojnë një shans për krijimin e mundësive të reja. Tani për tani, është mundësia për t’iu dhënë një energji të re marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Kinës”, ka thënë Zelensky.Në të njëjtën ditë, Zelensky ka emëruar Pavel Ryabikinin ambasador në Kinë, ndërsa Pekini ka njoftuar se do të dërgojë një përfaqësues të posaçëm në Kiev, për të zhvilluar bisedime me të gjitha palët, në përpjekje për zgjidhjen e krizës.

Xi është udhëheqësi më i fuqishëm botëror që është përmbajtur nga dënimi i pushtimit rus, edhe pse zyrtarët ukrainas, prej kohësh, i kanë bërë thirrje që ta shfrytëzojë ndikimin e tij në Rusi për t’i dhënë fund luftës. Kina është e vetmja qeveri e madhe që ka marrëdhënie miqësore me Moskën dhe është blerësja më e madhe e naftës dhe gazit rus.Por, aleatët perëndimorë të Ukrainës, me në krye SHBA-në, kanë qenë vazhdimisht skeptikë ndaj saj. Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se nëse Kina do që të merret seriozisht, ajo duhet t’i kërkojë Rusisë që të tërhiqet nga Ukraina.

“Ne shpresojmë që presidenti Xi do t’i bëjë presion presidentit [rus, Vladimir] Putin, që t’i ndalojë bombardimet e qyteteve, spitaleve dhe shkollave të Ukrainës, t’i ndalojë krimet e luftës dhe mizoritë dhe t’i tërheqë trupat e tij”, ka thënë Kirby.

Megjithatë, SHBA-ja duket se ka nisur ta zbusë qëndrimin e saj përballë Kinës si ndërmjetësuese e paqes në Ukrainë. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka dhënë këtë deklaratë për gazetën Washington Post, më 3 maj

“Në parim nuk ka asgjë të keqe nëse kemi një vend - qoftë Kina apo ndonjë tjetër me ndikim të rëndësishëm - që është i përgatitur për të ndërmjetësuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne do ta mirëprisnim një gjë të tillë. Dhe, sigurisht, Kina mund të luajë një rol në këtë përpjekje”.

Biseda mes Xisë dhe Zelenskyt është mirëpritur edhe në Kremlin, ku zëdhënësi Dmitry Peskov ka thënë se Rusia është e gatshme për çdo gjë që e përshpejton përfundimin e konfliktit dhe arritjen e qëllimeve ruse.

Po përse po e bën Kina këtë tani, gati 15 muaj pas nisjes së konfliktit?

Allen Carlson, profesor në Universitetin Cornell në SHBA dhe studiues i politikës së jashtme kineze, jep këtë shpjegim për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Mendoj se Kina, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës, po sheh se përpjekjet e Rusisë kanë dështuar. Së voni ka pasur po ashtu raporte se Ukraina është shumë mirë e armatosur, në krahasim me siç ka qenë pak kohë më parë. Pra, mendoj se Kina i ka ndryshuar disi llogaritjet për atë se cili mund të jetë rezultati i luftës. E dini se askush nuk dëshiron ta mbajë anën e humbësit, veçanërisht në një konflikt të paprovokuar”.

Carlson kujton, po ashtu, se marrëdhëniet tregtare midis Kinës dhe Ukrainës para luftës, kanë qenë “jashtëzakonisht të rëndësishme” për të dyja palët. Sipas tij, Kina mund të jetë duke kërkuar mënyra që do të mundësonin kthimin në marrëdhëniet e mëparshme tregtare.

“Ajo që kemi nisur të shohim është një tym, që është ngritur lart gjatë javëve të fundit. Tani ndoshta ka edhe pak zjarr, që sugjeron se mund të ketë diçka thelbësore”, thotë Carlson.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme ka qenë votimi i Kinës, për herë të parë, në favor të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që përmend agresionin rus kundër Ukrainës. Kjo ka ndodhur më 26 prill. Deri atëherë, Pekini ka abstenuar nga votimi i rezolutave të ngjashme.

Por, përkundër kësaj, disa analistë thonë se veprimet e Kinës, në raport me Ukrainën, nuk duhet të mbivlerësohen. Duke folur për Exposenë, Jan Shvec, nga Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Pragë, thotë se nuk duhet pritur asnjë zgjidhje, së paku jo këtë vit.

“Por, në afat më të gjatë, brenda disa vitesh, nëse Rusia dobësohet më shumë dhe Ukraina bëhet më e suksesshme ushtarakisht... nëse Rusia dobësohet edhe në luftë, por edhe brendapërbrenda dhe Putin humb legjitimitetin... në një situatë të tillë, Kina do të gjendej atje për të ofruar një lloj zgjidhjeje. Për Putinin do të ishte e papranueshme që Perëndimi ta negocionte zgjidhjen. Dhe, në atë rast, [Kina] do t’i ndihmonte që të dilte me pak fytyrë nga konflikti”, thotë Shvec.

Carlson thotë se muajt e ardhshëm do të tregojnë sesa serioze janë synimet e Kinës për të ndërhyrë në këtë situatë. Sipas tij, nëse telefonata midis Xisë dhe Zelenskyt do të pasohej me aktivitete të tjera diplomatike - si për shembull me vizita të zyrtarëve në vendet respektive - atëherë do të mund të flitej për lëvizje nga pozicioni neutral.

“Mendoj se ajo që [Kina] mund të bëjë, është të ofrojë një mekanizëm për nisjen e negociatave midis dy palëve, që do t’u jepte atyre pak më shumë hapësirë për të manovruar, pa pasur nevojë apriori të bëjnë lëshime të mëdha. Me fjalë të tjera, nëse lidershipi në të dyja anët është i interesuar për të gjetur një rrugëdalje, ai nuk do të mund ta thotë atë publikisht. Por, ndoshta duke punuar me Kinën, mund të bëjë përparim”, thotë Carlson.

Kina tashmë ka një histori suksesi në ndërmjetësim. Irani dhe Arabia Saudite janë pajtuar për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike në muajin mars, pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga zyrtarët kinezë.

Agjencia kineze e lajmeve Xinhua, e cila praktikisht është zëdhënëse zyrtare e Pekinit, ka shkruar se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë mirëpritur bisedën midis Xisë dhe Zeleneskyt dhe se kanë shprehur pritshmërinë e tyre se “Kina do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në promovimin e një zgjidhjeje paqësore të krizës në Ukrainë”.

Nga Bashkimi Evropian, megjithatë, sinjalet janë të përziera, pasi blloku ka paralajmëruar sanksione kundër tetë kompanive ushtarake kineze, për të cilat ka vlerësuar se e kanë ndihmuar makinën luftarake të Kremlinit.Në shtypin perëndimor, ndërkaq, vlerësimet kanë qenë të ndryshme.

“Financial Times” ka pasur një artikull me titull “Kina mund të luajë rol vendimtar në përfundimin e luftës në Ukrainë”.Sipas gazetës britanike, “nuk ka dyshim se liderët rusë dhe kinezë janë të bashkuar në armiqësinë e tyre ndaj fuqisë amerikane. Një fitore e shpejtë e Rusisë në Ukrainë do t’i përshtatej Kinës. Por, lufta e zgjatur është shndërruar në pengesë strategjike për Pekinin. Në vend se t’i dobësojë, lufta në Ukrainë ka bashkuar edhe më shumë SHBA-në, Evropën dhe demokracitë aziatike”, ka shkruar Financial Times.

Sipas gazetës Guardian, “bota nuk duhet të ketë iluzione: Kina mund të jetë e interesuar të fillojë një proces negociues midis Kievit dhe Moskës, por arritja e një marrëveshjeje që i jep fund luftës, nuk do të ndodhë shpejt, e ndoshta edhe kurrë”, ka shkruar Guardian.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka inkurajuar në mënyrë eksplicite Ukrainën që të kërkojë negociata me Kremlinin pas ofensivës së pranverës.Zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin amerikan të Shtetit kanë thënë prej kohësh se të gjitha luftërat përfundojnë në tryezën e negociatave, por, sipas tyre, Rusia duhet të tregojë interesim të vërtetë për bisedime.

Tash për tash, presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka treguar asnjë shenjë publike se dëshiron ta ndalë luftën, pavarësisht humbjeve të raportuara në fushëbetejë./REL

kina ndermjetesim paqe ukraine