Kancelari gjerman Friedrich Merz ka vendosur të mos marrë pjesë në samitin e sotëm të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, Armeni.
Kjo është hera e parë që Gjermania mungon në samitet e këtij forumi, i krijuar për të diskutuar çështje strategjike evropiane, veçanërisht sigurinë e saj, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.
Samiti në Armeni shihet si një mundësi për të përshpejtuar bashkëpunimin mes një koalicioni shtetesh me ndikim të mesëm përballë kërcënimeve të Trump.
Samiti i këtij viti do të bëjë së bashku 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”, ndërkohë që Kryeministri i Kanadasë Mark Carney, do të marrë pjesë si i ftuar në samit, duke shënuar herën e parë që një vend jo-europian merr pjesë në takim.
Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama mbërriti mbrëmjen e djeshme në Jerevan, në të njëjtën kohë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte dhe kryeministren e Italisë Giorgia Meloni.
Lini një Përgjigje