
Kryeministri hungarez Viktor Orban duket se po kënaqet me problemet politike të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përpara një votëbesimi kyç në Parlamentin Evropian.
“Koha për të ikur”, shkroi Orban të mërkurën në një postim të shoqëruar me një imazh të von der Leyen duke dalë nga një kornizë e kuqe, që tregon simbolikisht largimin e saj politik.
Postimi erdhi ndërsa Parlamenti përgatitet të votojë të enjten nëse von der Leyen duhet të mbetet në krye të ekzekutivit të BE-së, duke reflektuar tensionet në rritje rreth lidershipit të saj.
Vota e besimit rrjedh nga zhgënjimi ndaj komunikimeve të fshehta të von der Leyen me CEO-n e prodhuesit të vaksinave Pfizer gjatë pandemisë. Duke folur në Strasburg këtë javë, ajo i hodhi poshtë akuzat, duke paralajmëruar për një "kërcënim alarmues nga partitë ekstremiste që përpiqen të polarizojnë shoqëritë përmes dezinformimit".
Në një postim të dytë të mërkurën, Orbán e cilësoi votimin si një moment përcaktues për Evropën.
“Nesër do të jetë një ditë e trazuar në Parlamentin Europian. Votimi ishte planifikuar për shkak të skandaleve të korrupsionit që po grumbulloheshin rreth Presidentit, por të gjithë e dimë se korrupsioni është vetëm maja e ajsbergut. Kjo ka të bëjë me kompetencën, rezultatet dhe të ardhmen e Europës”, shkroi Kryeministri hungarez.
Sulmi i Orban erdhi vetëm një ditë pasi Komisioni lëshoi rekomandime ekonomike specifike për vendin , duke i kërkuar Hungarisë të miratojë masa fiskale “të përhershme” për të adresuar një boshllëk buxhetor.
Qeveria hungareze kundërshtoi, duke mbrojtur strategjinë e saj ekonomike. “Në dallim nga Brukseli, për qeverinë familjet, pensionistët dhe kompanitë hungareze janë të parat, jo shumëkombëshet”, tha ministria e ekonomisë e Hungarisë në një deklaratë të mërkurën.
Budapesti dhe Brukseli janë përfshirë në një mosmarrëveshje më të gjerë për vite me radhë, me BE-në që ka ngrirë miliarda euro fonde për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit.
Lini një Përgjigje