Bota25 Mars 2023, 08:37

Kryeministri kroat: Vladimir Putin do arrestohet nëse shkel në vendin tonë

Shkruar nga Pamfleti
Kryeministri kroat: Vladimir Putin do arrestohet nëse shkel në vendin
Presidenti rus, Vladimir Putin

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç deklaroi sot në Bruksel se presidenti rus Vladimir Putin, për të cilin Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar një urdhër arresti, do të arrestohej nëse ai do të vinte në Kroaci në bazë të procedurës së parashikuar me ligj.

Plenkoviç kujtoi se Kroacia ka aderuar në statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, si dhe se është miratuar ligji për bashkëpunim me atë gjykatë, shkruan Euronews Serbia.

“Ai ligj parashikon të gjitha procedurat në rast se ekziston një urdhër për arrestimin e një personi dhe me sa di unë, imuniteti nuk zbatohet,” tha Plenkoviç në përgjigje të pyetjes së një gazetari se si do të vepronte Zagrebi në këtë rast se Putini shkel në Kroaci.


Megjithatë, Plenkoviç theksoi se një vizitë e tillë “në fund të fundit nuk është realiste”.

“Nuk besoj se Putin do të shkojë kaq shpejt në vendet nënshkruese të Statutit të Romës”, tha Plenkoviç në Bruksel pas samitit të BE-së.

Urdhër arresti ndërkombëtar për Vladimir Putin për krime lufte ishte zhvillimi i madh i javës së kaluar.

Presidenti rus akuzohet se ka deportuar mijëra fëmijë ukrainas në Rusi.

E njëjta akuzë, me një urdhër të dytë arresti, u ngrit edhe kundër Maria Lvova-Belova, komisionerja e Moskës për të drejtat e fëmijëve.

Hetuesit dhe magjistratët që hetojnë krimet e kryera gjatë konfliktit shpjegojnë se kjo linjë hetimi ka pasur gjithmonë përparësi sepse "fëmijët dhe adoleshentët nuk mund të trajtohen si plaçkë lufte". Dhe tani, në përfundim të kontrolleve komplekse dhe të thelluara edhe në lidhje me pranueshmërinë dhe aspektet ligjore, tre gjyqtarët - italiani Rosario Aitala, japonezi Tomoko Akane dhe kostarikani Sergio Ugalde - kanë pranuar kërkesat e prokurorit Karim Khan.

putin arrestim kroaci