TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Dhjetor 2025, 17:07

Londra zbulon detajet tronditëse: Helmimi i ish-spiuni Sergei Skripal u urdhërua nga Putin

Shkruar nga Pamfleti

Londra zbulon detajet tronditëse: Helmimi i ish-spiuni Sergei Skripal u

Një raport publik i gjatë dhe i detajuar në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se atentati ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal në vitin 2018 u autorizua në nivelet më të larta të Kremlinit, duke përfshirë vetë presidentin rus Vladimir Putin.

Hetimi, i udhëhequr nga ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Lord Hughes, nxjerr përfundimin tronditës se Putin ka "përgjegjësi morale" për vdekjen e një qytetareje britanike, Dawn Sturgess, e cila u helmua rastësisht me agjentin nervor “Novichok” që u përdor për të vrarë Skripal.

Sergei Skripal, 74 vjeç, ish-oficer i shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse (GRU), kishte mbërritur në Britani në vitin 2010 si pjesë e një shkëmbimi spiunësh. Më 4 mars 2018, ai dhe vajza e tij, Yulia Skripal, 41 vjeç, u helmuan në qytetin Salisbury, duke u futur në një gjendje kritike. Gjithashtu, edhe oficeri britanik i policisë, Nick Bailey, u sëmur rëndë pasi kontrolloi shtëpinë e tyre.

Të tre mbijetuan, por disa muaj më vonë, më 30 qershor 2018, partneri i një gruaje, Charlie Rowley, gjeti një shishe parfumi të markës “Nina Ricci”, ku ishte futur agjenti helmues Novichok. Ai ia dhuroi të dashurës së tij, Dawn Sturgess, e cila e përdori pa e ditur se çfarë ishte. Ajo vdiq më 8 korrik. Rowley mbijetoi, por mbeti me pasoja serioze shëndetësore.

Raporti prej 174 faqesh konfirmon se tre agjentë të GRU-së – të njohur me emrat e rremë Alexander Petrov, Ruslan Boshirov dhe Sergey Fedotov – kishin udhëtuar nga Moska në Londër për të realizuar vrasjen. Ata aplikuan Novichok në dorezën e derës së shtëpisë së Skripal dhe më pas hodhën shishen në mënyrë “të papërgjegjshme” në një zonë publike.

“Ata nuk patën asnjë konsideratë për rrezikun që po krijonin ndaj një numri të pafund njerëzish të pafajshëm”, thuhet në raport.

Lord Hughes konfirmon se “operacioni për vrasjen e Skripal ka qenë i autorizuar në nivelin më të lartë – nga vetë presidenti Putin”. Ai shton se edhe vetë vdekja e Sturgess ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë atentat të sponsorizuar nga shteti rus.

Ky hetim, i cili zgjati shtatë javë dhe kushtoi mbi 8 milionë paund, sjell sërish në vëmendje pyetjet thelbësore për sigurinë kombëtare të Britanisë dhe për mënyrën sesi Rusia vazhdon të përdorë agjentë helmues në tokë të huaj për të eliminuar ish-spiunët dhe kundërshtarët.

Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj autorëve, por deri tani asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Raporti mund të shtyjë Londrën dhe aleatët perëndimorë drejt një linje më të ashpër ndaj Moskës, sidomos në kontekstin e tensioneve të vazhdueshme për luftën në Ukrainë.

Lini një Përgjigje