Bota 2 Shtator 2023, 20:04

Mali i Zi ende në ngërç politik, ekspertët: Ndërhyrjet nga jashtë po vonojnë formimin e qeverisë së re

Shkruar nga Pamfleti

Mali i Zi ende në ngërç politik, ekspertët:

Vonesat e dukshme në formimin e qeverisë së re në Malin e Zi e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, po shkaktojnë reagime të shumta në vend.

Analisti i njohur malazez, Velija Muriç, i tha “Zërit të Amerikës” se ndërhyrjet nga jashtë po ndikojnë në formimin e shpejtë të qeverisë.

Zoti Muriç akuzon Beogradin zyrtar se po përpiqet të fusë në qeverinë e re malazeze partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

Edhe pse Bashkimi Europian u ka bërë thirrje partive politike në Malin e Zi që të formojnë sa më shpejt qeverinë e re me synimin për të përshpejtuar reformat e duhura drejt BE-së, analisti i njohur malazez, Velija Muriç vlerëson se ndërhyrjet nga jashtë po e vështirësojnë formimin e shpejtë të qeverisë.

Aktualisht kemi një ndikim të fuqishëm të Beogradit zyrtar që po pengon formimin e qeverisë së re. Kjo trysni ka krijuar një situatë të papajtueshme në politikën malazeze. Ndërsa Beogradi këmbëngul që partia pro-serbe dhe pro-ruse, ish-Fronti Demokratik të përfshihet në qeveri, mandatari Milojko Spajiç e ka hedhur poshtë mundësinë e hyrjes së tyre", thotë zoti Muriç.

Zoti Muriç po ashtu tha se “sulmet nga Beogradi do të jenë edhe më të fuqishme në vazhdën e bisedimeve për qeverinë, siç ishte rasti i para disa ditëve ku ithtarët e partive pro-serbe dhe pro-ruse protestuan në disa qytete të Malit të Zit, nxitur edhe Kisha Ortodokse Serbe”.

Më 11 qershor në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat u vlerësuan si të lira dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë. Lëvizja Europa Tani, e formuar vitin e kaluar, fitoi numrin më të madh të votave, 24 vende në parlament, ndjekur nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve, të ish-Presidentit malazez Milo Gjukanoviç, partia e të cilit mbajti pushtetin për 30 vjet në Malin e Zi.

Mali i Zi konsiderohej si një vend që udhëhiqte procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, në rajon dhe ka hapur të gjithë kapitujt në negociatat për anëtarësim. Megjithatë si pasojë e krizës politike dhe institucionale, nuk ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare që nga dhjetori 2021, për shkak të progresit të pamjaftueshëm në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit./VOA

mali i zi qeveria e re