Skandal me përmbajtje eksplicite godet sistemin gjyqësor; në hetim kandidatja dhe ish-shefi i shërbimit sekret...
Mali i Zi ndodhet në epiqendrën e një prej skandaleve më të rënda dhe më delikate të viteve të fundit, ku ndërthuren seks, politikë dhe drejtësi.
Një aferë me përmbajtje eksplicite ka përfshirë dy figura të njohura publike: Mirjana Pajković, ish-prokurore dhe kandidate për Gjykatën Kushtetuese, dhe Dejan Vukšić, ish-shef i Agjencisë për Siguri Kombëtare, duke ekspozuar publikisht brishtësinë e institucioneve dhe çarjet në sistemin e drejtësisë në vend.
Sipas Prokurorisë së Podgoricës, hetimet janë hapur pas ngjarjeve të ndodhura në tetor 2024, kur Pajković dyshohet se ka marrë pa leje telefonin personal të Vukšićit dhe ka shpërndarë nga ai materiale intime, me qëllim për të ushtruar presion dhe për ta detyruar të tërhiqej nga kandidatura për Gjykatën Kushtetuese.
Në të njëjtën kohë, vetë Pajković ka paditur Vukšićin për kërcënim, shantazh dhe keqpërdorim të funksionit, duke pretenduar se është viktimë e një skenari politik të dirigjuar nga strukturat e vjetra të sigurisë.
Prokuroria ka nisur dy procedime penale të ndara, duke hetuar të dy palët për një sërë veprash që përfshijnë shantazh, kërcënim, shkelje të privatësisë dhe përdorim të materialeve eksplicite për qëllime politike. Të dy janë thirrur për t’u dëgjuar në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime penale. Ky nuk është vetëm një rast i ekspozimit të jetës private në publik, por një tregues i qartë i betejës së brendshme për kontrollin e institucioneve kyçe në Mal të Zi.
Pas kësaj afere, qëndron një luftë e heshtur për kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe përpjekja për të frenuar kandidatë të papërshtatshëm apo të padëshiruar nga strukturat e vjetra dhe të reja të pushtetit.
Afera ka shkaktuar jehonë të fortë në opinionin publik, me reagime të ndara. Pjesa më e madhe e klasës politike ka zgjedhur të heshtë, ndërsa shoqëria civile dhe rrjetet sociale kanë shpërthyer në akuza dhe kërkesa për transparencë të plotë. Me hashtagun #AferaPajković që po qarkullon me shpejtësi, qytetarët kërkojnë dorëheqje dhe pastrim të menjëhershëm të institucioneve nga individët e përfshirë në skandale të tilla.
Në një vend që synon integrimin në Bashkimin Evropian, por që ende përballet me trashëgimi të rënda të kapjes së shtetit dhe mungesës së llogaridhënies, ky rast është provë zjarri për sistemin e drejtësisë. Nëse ky skandal do të hetohet realisht apo do të mbyllet si shumë të tjera më parë, do të jetë testi më i madh për besueshmërinë e institucioneve dhe për shpresën se Mali i Zi mund të dalë një ditë nga tranzicioni i pafund politik e moral./Pamfleti
Lini një Përgjigje