Gazetari i burgosur Evan Gershkovich i ka thënë familjes së tij se "nuk po e humb shpresën" pasi u arrestua në Rusi me akuza për spiunazh, raporton 'The Sun'.
Gazetari i Wall Street Journal, u kap nga policia e Vladimir Putin më 29 mars, megjithatë zyrtarët rusë nuk kanë dhënë ende ndonjë provë për të mbështetur pretendimet e tyre. Gershkovich do përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor.
Në një letër të shkruar me dorë për familjen e tij në Filadelfia, gazetari amerikan bëri shaka me ushqimin e burgut dhe tha se ai ishte duke lexuar dhe duke ushtruar.
Aty shkruhej: “Dua të them se nuk po e humb shpresën. Unë lexoj. Ushtroj. Dhe po përpiqem të shkruaj. Ndoshta, më në fund, do të shkruaj diçka të mirë. Mama, ti për fat të keq, për mirë apo për keq, më përgatite mirë për ushqimin e burgut. Në mëngjes, na japin grurë të nxehtë me krem, drithëra e tërshërë. Po kujtoj fëmijërinë time."
Letra, e datës 5 prill dhe e shkruar në rusisht, është korrespondenca e parë që ai ka me familjen e tij që nga arrestimi.
Nëna e tij, tha se ata ndjenin "gëzim të madh" pasi morën letrën.
Ajo tha: "Këto janë fjalët e djalit tim, nuk më thotë dikush tjetër. Dhe shpirti i tij po shkëlqen."
Në letër, Gershkovich tregoi gjithashtu se si kishte marrë një paketë kujdesi nga miqtë, rroba dhe stilolapsa.
Ai shkroi: "Unë mendoj se tani kam më shumë rroba dhe gjëra sesa mami dhe babi në shtëpi."
Arrestimi i tij u dënua ashpër edhe nga gazetarët në mbarë botën, të cilët kanë treguar mbështetjen e tyre me hashtagun #IStandWithEvan në Twitter.
Lini një Përgjigje