Zohran Mamdani ka fituar zgjedhjet për kryebashkiak të New York, të martën, 4 nëntor, duke siguruar shumicën e votave.Pas fitores, ai nuk humbi kohë dhe i drejtoi një mesazh të fuqishëm Presidentit amerikan Donald Trump.
Pavarësisht fushatës së fortë kundër tij dhe thirrjeve të përsëritura të Presidentit Donald Trump drejtuar votuesve që të mos e mbështesin, Zohran Mamdani ka arritur një fitore historike në zgjedhjet për kryebashkiakun e New York.
Në fjalimin e tij të fitores, Mamdani deklaroi se: “New York është ndërtuar nga emigrantët dhe do të mbetet i tillë tani i drejtuar nga një emigrant”.
I përshkruar si demokrat socialist, Mamdani është përballur për muaj me radhë me sulme nga Trump, i cili e ka quajtur “komunist” dhe ka mbështetur kundërshtarin e tij, ish-guvernatorin Andrew Cuomo.
Mamdani iu drejtua drejtpërdrejt Donald Trumpit, duke e sfiduar: "Donald Trump, meqenëse e di që po më shikon, kam katër fjalë për ty: Rrit Volumin".
Ai e quajti Trumpin "despot" dhe shtoi: "Nëse ka një vend në botë që mund të tregojë se si të mposhtet Donald Trump, ky është qyteti që e krijoi atë"., përfundoi Mamdani: "Dëgjo Trump, për të arritur te njëri prej nesh, do të duhet të kalosh përmes nesh të gjithëve".
Fitorja e tij u bë e mundur kryesisht falë 104.000 vullnetarëve, shumë prej të cilëve të rinj, që trokitën në 3 milionë dyer dhe bënë 4,4 milionë telefonata.
Me këtë fitore, Zohran Mamdani bëhet kryebashkiaku i parë emigrant në historinë e New York, duke shënuar një moment të rëndësishëm për politikën amerikane.
Mamdani u zgjodh në këtë detyrë si një socialist-demokrat. Ai është tanimë kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit dhe më i riu që e udhëhoqi qytetin që nga viti 1917.
Fitorja e tij erdhi pavarësisht një fushate të koordinuar të djathtë dhe islamofobike, si dhe mbi $34 milionë shpenzime të jashtme kundër tij.
Më shumë se kaq, Mamdani duket se ka mbyllur edhe karrierën e politikanit të trashëguar dhe ish-gjeneralit të diskretituar të shtetit, Andrew Cuomo.
Po kush është Mamdani?
E përshkruan veten si “një politikan me shpirt skandinav dhe lëkurë më të errët”…
Një histori migrimi, arti dhe aktivizmi
Zohran Keame Mamdani lindi në Ugandë në vitin 1991.
Babai i tij, Mahmood Mamdani, është një prej politologëve më të njohur afrikanë, ndërsa e ëma është regjisorja e famshme indiane Mira Nair, autore e filmit kult Monsoon Wedding. Familja u zhvendos në New York në vitin 1998, kur ai ishte vetëm shtatë vjeç.
I rritur në lagjen Astoria të Queens-it, një mozaik kulturash dhe etnish, Mamdani u formua mes realiteteve të ndryshme që e çuan drejt një vizioni politik të ndërtuar mbi barazinë sociale dhe drejtësinë ekonomike. Fillimisht i apasionuar pas hip-hopit, ai më vonë zgjodhi të përfshihej në punë sociale, duke ndihmuar familjet me të ardhura të ulëta të mos humbnin shtëpitë e tyre për shkak të kredive.
“Çdo ditë shihja pasojat konkrete të pabarazisë”, ka rrëfyer ai.
Nga aktivist në favorit për kryebashkiak
Mamdani u bë pjesë e “Socialistëve Demokratë të Amerikës” në vitin 2017, dhe vetëm tre vite më vonë fitoi një vend në Asamblenë e Shtetit të New York-ut, duke përfaqësuar zonën e tij, Astoria.
Ai u rikonfirmua në zgjedhjet e 2022 dhe 2024, duke fituar terren falë një platforme që përfshin masa ambicioze si:
• transport publik falas,
• ndalim i rritjes së qirave për banesat me çmime të kontrolluara,
• ndërtim i 200 mijë njësive të reja banimi të përballueshme,
• çerdhe falas për të gjitha familjet,
• dhe rritje graduale të pagës minimale në 30 dollarë/orë deri në vitin 2030, e financuar përmes taksimit të korporatave të mëdha dhe milionerëve.
Këto propozime e kanë kthyer në një simbol të brezit të ri progresist, por edhe në një shënjestër të pasanikëve dhe konservatorëve. Presidenti Donald Trump e ka quajtur “komunist” dhe ka paralajmëruar se do të ndërpresë fondet federale pas zgjedhjes së tij.
Një figurë që ndan, por edhe frymëzon
Megjithëse Mamdani ka fituar mbështetjen e figurave të majta si Bernie Sanders dhe Alexandria Ocasio-Cortez, ai ka shkaktuar debate të forta brenda vetë forcës për qëndrimet e tij kritike ndaj politikave të Izraelit. Ai e ka dënuar hapur “gjenocidin ndaj palestinezëve në Gaza” dhe ka propozuar ndalimin e financimeve për organizata që mbështesin vendbanimet ilegale izraelite.
Përkundër kritikave, ai ka fituar simpatinë e brezit të ri hebre në qytet.
Në mënyrë befasuese, ish-presidenti Barack Obama e ka kontaktuar personalisht, duke i ofruar mbështetje morale dhe këshilla për të ardhmen, çka mund të ketë forcuar pozicionin e tij në mesin e demokratëve të moderuar.
Lini një Përgjigje