
Serbia ka përcjellë për në banesën e fundit një pjesë të viktimave të dy masakrave që ndodhën këtë javë. Në dy ngjarje të njëpasnjëshme u vranë 17 persona dhe autorë ishin një 14-vjeçar dhe një 21-vjeçar.
Ky i fundit vrau 8 persona në fshat dhe sot ka shtangur me dëshminë e tij. U.B, 21 vjeç, doli para Prokurorisë së Lartë Publike në Smederevë ku pranoi krimin dhe u shpreh se këtë e bëri për të frikësuar popullatën.
“Në seancë, i dyshuari ndër të tjera deklaroi se duke përdorur një pushkë automatike dhe një pistoletë në tre lokacione në territorin e Smederevës dhe Mlladenovacit, ka shtënë mbi disa persona që ishin në grup dhe nuk i njihte, për të frikësuar siç tha ai, popullatën”, njoftoi prokuroria serbe.
Në deklaratë thuhet se gjatë bastisjes në banesën e dyshuarit është gjetur një sasi e madhe armësh dhe municioni. Pas krimit ai ka marrë një taksi dhe është larguar. Prokuroria ka thënë se i dyshuari e ka detyruar taksistin që ta çojë në një fshat në territorin e Kragujevcit, ku i dyshuari është gjetur në orët e mëngjesit të së premtes, në një objekt në pronësi të dajës së tij. Pas seancës gjykata e ka lënë atë në burg.
Ndërkohë mediat serbe shkruajnë se autori i masakarës tjetër me 9 të vrarë në shkollë, mund t’ia hedhë paq. Kodi Penal në Serbi parashikon se një person mban përgjegjësi penale vetëm nëse është mbi 14 vjeç. I mituri nuk i ka mbushur akoma 14. Ndërkohë qeveria serbe ka njoftuar se do e ulë kufirin në 12 vjeç. Mirëpo ai do të gjykohet me parashikimet aktuale, që do të thotë se mund të mos ketë ndëshkim për të.
Lini një Përgjigje