Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, bëri një deklaratë të rrallë politike, duke kërkuar "unitet" dhe protesta paqësore në mes të valës së dhunës që ka përfshirë qytetin e Minneapolis. Në një paraqitje televizive në "Fox & Friends", ajo theksoi: “Jam kundër dhunës. Prandaj, ju lutem, nëse protestoni, bëjeni në mënyrë paqësore”.
Deklarata e saj vjen në një moment kur tensionet në qytet janë rritur ndjeshëm pas vrasjes së një 37-vjeçari me emrin Alex Pretty, një infermier në repartin e kujdesit intensiv, i cili u qëllua për vdekje nga agjentë federalë gjatë një operacioni për zbatimin e ligjeve të emigracionit.
Ngjarja shkaktoi protesta të ashpra në rrugët e Minneapolisit dhe përtej saj, duke rikthyer kujtesën e krizave të mëparshme racore dhe institucionale në SHBA. Pamjet filmike të incidentit kanë ndezur reagime të forta, duke ndarë opinionin publik dhe ngritur dyshime mbi mënyrën e përdorimit të forcës nga agjentët federalë.
Në sfondin e kësaj krize që po zgjerohet, Presidenti Donald Trump ka ndërhyrë drejtpërdrejt, duke zëvendësuar ministren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, me ish-drejtorin e emigracionit Tom Homan. Në një postim në rrjetin Truth Social, Trump deklaroi: “Po dërgoj Tom Homan në Minnesota që sonte. Ai është i ashpër por i drejtë dhe do të raportojë vetëm mua.”
Kjo lëvizje vjen pasi vetë Trump mësohet të ketë qenë i pakënaqur me menaxhimin e krizës nga Noem dhe bashkëpunëtorët e saj, gjatë një takimi urgjent në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, Noem ka reaguar ashpër, duke etiketuar viktimën Alex Pretty si “terrorist i brendshëm”, një deklaratë që ka shkaktuar reagime të ashpra në media dhe në komunitetin shëndetësor.
Guvernatori i Minnesotës, Tim Walz, dhe kryebashkiaku i Minneapolisit, Jacob Frey, kanë konfirmuar kontaktet me presidentin, duke deklaruar se po punojnë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Megjithatë, organizatat civile dhe liderë të komunitetit po kërkojnë hetim të plotë dhe transparencë për vrasjet e ndodhura, pasi më shumë se një incident me viktima është regjistruar në video në javët e fundit.
Me situatën që mbetet e tensionuar, pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për mënyrën se si Shtëpia e Bardhë do të menaxhojë këtë valë zemërimi që nuk ka të bëjë vetëm me një incident, por me një plagë të thellë në shoqërinë amerikane.
Lini një Përgjigje