Qeveria e Italisë ka minuar thellësisht sundimin e ligjit me ndryshimet në gjyqësor dhe ka treguar “intolerancë të rëndë ndaj kritikave të medias”.
Një shembull emblematik i thellimit të “recesionit demokratik” të Evropës, ka thënë një koalicion i grupeve të lirive civile, sipas medias britanike The Guardian.
Një raport i Unionit të Lirive Civile për Evropën tha se Italia ishte një nga pesë “çmontuesit” – së bashku me Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Sllovakinë – që “minojnë qëllimisht sundimin e ligjit në pothuajse të gjitha aspektet”.
Në Hungari, e klasifikuar prej kohësh si një “autokraci zgjedhore”, studiuesit zbuluan “regres të rëndësishëm” në sundimin e ligjit në vitin 2024.
Presioni ndaj grupeve joqeveritare dhe mediave u intensifikua pas hapjes së zyrës së mbrojtjes së sovranitetit të Hungarisë, e cila ka kompetenca të gjera për të hetuar hungarezët aktivë në jetën publike.
“Recesioni demokratik i Evropës është thelluar në vitin 2024”, tha unioni Liberties në një deklaratë.
Raporti theksoi sistemet gjyqësore që i nënshtrohen manipulimit politik, zbatimi i dobët i ligjit kundër korrupsionit, mbipërdorimi i procedurave të shpejta legjislative, ngacmimi i gazetarëve dhe kufizimet në rritje për protestat paqësore.
“Pa veprime vendimtare, BE-ja rrezikon erozionin e mëtejshëm demokratik”, përfundon raporti – i përpiluar nga 43 organizata të të drejtave të njeriut në 21 shtete anëtare të BE-së.
Liberties nisi me raportet në vitin 2019 për të hijezuar ato të Komisionit Evropian për sundimin e ligjit, të cilat kanë për qëllim të shërbejnë si një kontroll shëndetësor demokratik për vendet anëtare të BE-së.
Gjashtë raportet e OJQ-së treguan “vazhdimësinë alarmante të shkeljeve të sundimit të ligjit në të gjithë Bashkimin Evropian”, tha Viktor Kazai, ekspert i lartë i sundimit të ligjit në Liberties.
“Të gjitha aspektet themelore të sundimit të ligjit janë përballur me probleme gjithnjë e më të rënda në vitet e fundit”. Kurse përpjekjet e BE-së për të rikthyer rënien ishin “të kufizuara në mënyrë zhgënjyese”.
Kategoria më shqetësuese e vendeve, sipas Kazai, qeveritë që po merrnin hapa për të minuar sundimin e ligjit.
Në Itali, studiuesit theksuan se si qeveria e Giorgia Melonit kishte hartuar propozime për t’i dhënë “kompetenca të pafundme” Ministrisë së Drejtësisë mbi prokurorët, gjë që do të rriste kontrollin politik mbi gjyqësorin.
Kontribuuesit italianë shënuan gjithashtu “nivele të paprecedentë të ndërhyrjes në mediat e shërbimit publik”.
Ndërsa në Bullgari, raporti shqyrtoi se si u nisën hetimet kundër korrupsionit kundër kundërshtarëve të shquar politikë të qeverisë, ndërkohë që skemat e gjata të tilla si hedhja e mbeturinave të ndërtimit në bashkinë e Sofjes vazhduan.
Në Sllovaki, flamuj të kuq janë ngritur për ndryshime të shumta të prezantuara nga qeveria e populistit nacionalist Robert Fico, duke përfshirë heqjen e zyrës së prokurorit qendror dhe një projektligj për agjentët e huaj “të stilit rus”, që do t’u kërkonte OJQ-ve të mbanin etiketën stigmatizuese të “organizatave të mbështetura nga të huajt” nëse marrin më shumë se 50 paund jashtë vendit.
Në Kroaci, integriteti i sistemit të drejtësisë u pa si i dëmtuar, pas ngritjes në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit të Ivan Turudiqit, një gjyqtar me lidhje të ngushta me partinë në pushtet Bashkimi Demokratik Kroat (HSZ).
Zyra e prokurorit publik evropian është ankuar për “sfidat sistematike të Kroacisë në ruajtjen e sundimit të ligjit”, pasi zyra e Turudiqit u duk se sfidoi të drejtën e EPPO-së për të hetuar një rast të dyshuar të mashtrimit kundër buxhetit të BE-së.
Në Rumani, zgjedhjet e fundit presidenciale zbuluan se si TikTok mund të lejonte një ultranacionalist pak të njohur të dilte drejt fitores, ndërkohë që një projektligj për të siguruar pavarësinë e shërbimit publik të TV dhe radios ka rënë në parlament që nga viti 2021.
Autorët e raportit paralajmëruan gjithashtu se “demokracitë model”, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, në Evropën veriperëndimore nuk ishin imune ndaj problemeve.
Në Francë, studiuesit paralajmëruan për përdorimin në rritje të procedurës së nenit 49.3 për të shtyrë vendimet pa votim, si dhe për rritjen e kufizimeve për lirinë e shprehjes, të paraqitura përpara Lojërave Olimpike ose për të kundërshtuar ndërhyrjen e huaj.
Kurse në Gjermani, studiuesit vlerësuan rregulla më të forta të krijuara për të luftuar ‘dyert rrotulluese’, ku zyrtarët e lartë zënë punë në sektorë që ata vet kanë rregulluar kohët e fundit. Por ata ngritën shqetësime për përgjigjet “e tepërta dhe joproporcionale’ ndaj ngjarjeve pro-palestineze, duke përfshirë censurimin e zërave pro-palestinez ose mohimin e hyrjes në vend të ish-ministrit grek të Financave, Yanis Varoufakis, i cili ishte ftuar të fliste në një ngjarje të tillë.
Prillin e kaluar policia mbylli atë që do të kishte qenë një konferencë tre-ditore palestineze në Berlin, nga frika se kjo do t’i jepte një platformë pikëpamjeve antisemite.
Polonia, e cila po përpiqet të frenojë sulmin ndaj institucioneve të pavarura, u përshkrua si një përrallë paralajmëruese.
Qeveria e koalicionit e udhëhequr nga Donald Tusk ka kërkuar të rivendosë pavarësinë e gjyqësorit dhe pluralizmin e medias, por ka hasur në konflikt me presidentin, Andrzej Duda, i cili është në linjë me partinë e mëparshme në pushtet, si dhe në kompleksitetin e zhbërjes së institucioneve të komprometuara.
Polonia “ilustron se adresimi i pavarësisë së komprometuar të institucioneve është një përpjekje jashtëzakonisht sfiduese dhe e brishtë”, sipas Liberties.
Lini një Përgjigje