Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se Rusia nuk është ende e gatshme të angazhohet në bisedime serioze për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje, në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Merz iu referua edhe rolit të Hungarisë. Ai përmendi rastin e “një kryeministri” nga Bashkimi Evropian, duke aluduar për Viktor Orbánin, i cili udhëtoi drejt Moskës pa mandat zyrtar dhe, sipas tij, “nuk arriti asgjë”.
Një javë më pas, Ukraina përjetoi disa nga “sulmet më të rënda ndaj infrastrukturës civile”, shtoi ai.
“Nëse ka kuptim të zhvillohen bisedime, ne jemi të gatshëm të bisedojmë. Por, siç po e shihni edhe nga pala amerikane, Rusia ende nuk është e gatshme për bisedime serioze”, deklaroi Merz.
Ai theksoi se lufta do të përfundojë “vetëm kur Rusia të jetë të paktën e rraskapitur ekonomikisht dhe, ndoshta, edhe ushtarakisht”.
“Po i afrohemi kësaj faze, por ende nuk kemi arritur atje”, tha ai.
Merz shtoi se Rusia duhet të heqë dorë nga lufta kundër Ukrainës dhe se partnerët perëndimorë duhet të bëjnë gjithçka të nevojshme për ta çuar Moskën në një pikë ku ajo të mos shohë më përfitim nga vazhdimi i konfliktit.
“Rusia duhet të heqë dorë nga kjo luftë e tmerrshme kundër Ukrainës dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta çuar atë në pikën ku nuk shohin asnjë avantazh të mëtejshëm për të vazhduar këtë luftë të tmerrshme.”, tha Merz.
Lini një Përgjigje