TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Nëntor 2025, 16:35

Mirupafshim Vietnam! Si po e “humb” SHBA-ja partnerin e saj strategjik

Shkruar nga Pamfleti

Mirupafshim Vietnam! Si po e “humb” SHBA-ja partnerin e saj

Hanoi midis Uashingtonit, Pekinit dhe Moskës: diplomacia e bambusë që mban Vietnamin në ekuilibër mes fuqive të mëdha...

Deri para pak vitesh, dukej se midis Shteteve të Bashkuara dhe Vietnamit po konsolidohej një e ardhme diplomatike premtuese, aq sa mund të zbehte edhe lidhjet tradicionale që Hanoi kishte me dy rivalët kryesorë të Uashingtonit: Kinën dhe Rusinë.

Në periudhën 2009–2017, administrata e Barack Obama-s ndërmori hapa seriozë për afrimin diplomatik me Vietnamin, duke e përfshirë këtë vend të Azisë Juglindore në strategjinë amerikane “Pivot to Asia”, një plan i menduar për të zhvendosur qendrën e politikës së jashtme amerikane drejt rajonit Azi-Paqësor, në mënyrë që të balanconte ndikimin gjithnjë në rritje të Pekinit.

Në vitin 2013, SHBA dhe Vietnami nënshkruan një “Partneritet të Gjithanshëm”, që shënoi një hap të rëndësishëm drejt marrëdhënieve të qëndrueshme shumëpalëshe, pas dekadash mosbesimi të trashëguar nga periudha e luftës. Tre vjet më vonë, Obama vizitoi Hanoin dhe Ho Chi Minh City, duke shpallur heqjen e plotë të embargos së armëve ndaj Vietnamit.

Mirupafshim Vietnam! Si po e “humb” SHBA-ja partnerin e saj

Afrimi mes dy vendeve vazhdoi si gjatë mandatit të parë të Donald Trump-it, ashtu edhe gjatë administratës së Joe Biden-it. Madje, vetëm dy vite më parë, dukej se Vietnami ishte gati të blinte rreth 10 avionë transporti ushtarakë C-130 nga SHBA, lajm që krijoi bujë, por që nuk u konkretizua. Në fund, Hanoja zgjodhi të forcojë bashkëpunimin ushtarak me Rusinë dhe të thellojë lidhjet ekonomike me Kinën.

Edhe pse në Uashington kjo lëvizje u pa me habi, në të vërtetë Vietnami po ndjek një strategji të qartë diplomatike, të njohur si “diplomacia e bambusë”. Ky term përshkruan pragmatizmin politik të vendit: rrënjë të forta në mbrojtjen e sistemit socialist dhe pavarësisë kombëtare, por dega të përkulshme që përshtaten me rrethanat ndërkombëtare.

Në fushën e mbrojtjes, Vietnami zbaton politikën e njohur si “katër jo-të”:

-asnjë aleancë ushtarake formale;

-asnjë bazë e huaj në territorin e tij;

-asnjë pozicionim kundër një vendi tjetër;

-dhe asnjë përdorim i forcës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare.

Në këtë kuadër duhet shtuar edhe qëndrimi i Donald Trump-it, i cili nuk tregoi ndonjë interes të madh për të forcuar lidhjet me vendet e ASEAN-it. Përkundrazi, ai i goditi ato me taksat tregtare, duke i shtyrë shumë qeveri të rajonit të afrohen më shumë me Pekinin, për të zbutur pasojat e tarifave amerikane.

Në trajtimin e çështjeve aziatike, Trump shpesh u soll me një qasje “lojtarësh pokeri”, por Vietnami nuk ka ndërmend të jetë as bast, as figurë pasive në lojën gjeopolitike. Përkundrazi, Hanoi po dëshmon se ka potencial për një politikë të jashtme të pavarur, të përshtatur me rendin e ri multipolar që po formohet.

Qeveria vietnameze e dëshiron ruajtjen e marrëdhënieve të mira me SHBA-në, por nuk ka ndërmend të sakrifikojë asnjë partner tjetër për t’i bërë qejfin Trump-it. Madje, sipas The New York Times, në Vietnami është rritur ndjeshëm pakënaqësia ndaj SHBA-së, për shkak të vendimeve të fundit të administratës së tij:

-heqja e ndihmave amerikane për energjinë e pastër dhe për programet kundër HIV/AIDS;

-rritja e tarifave doganore;

-mospërfillja e kërkesave për takim bilateral për zgjidhjen e çështjes së taksave;

-dhe, si “qershia mbi tortë”, tatimi i ri ndaj mobilieve dhe produkteve prej druri “Made in Vietnam”, një ndër sektorët kyç të zhvillimit ekonomik të vendit.

Ndërkohë, shumë aleatë aziatikë të SHBA-së, nga Japonia te Korea e Jugut e deri në Australi, po shprehin shqetësimin se Trump mund të jetë duke humbur Hanoin, një partner që dikur shihej si një shtyllë e ekuilibrit amerikan përballë Kinës në Azinë Juglindore. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

1 Komente

  1. T
    Toni Fallxhori.

    Gjaku i derdhur kurre nuk falet. Shqiptari kurre nuk i fal te tere qe erdhen e i shkaterruan vendin e i vrane e i prene. Dhe lista eshte e gjate. Diplomacia eshte nje tas me mut te mbuluar me cokollate per te gjitha palet. Si i behet? Kush tia nxjerre syte njeri tjetrit u ndertua kjo bote e keshtu do shkoje derisa te zhduket.

    Lini një Përgjigje