
Më 19 janar të këtij viti, gjatë inaugurimit të 35 projekteve të infrastrukturës të Organizatës së Rrugëve Kufitare (BRO) në Uttarakhand, Ministri indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh, deklaroi se “Ndryshimet klimatike në vend, nuk janë vetëm një fenomen i lidhur me motin, por kjo çështje është e lidhur me sigurinë kombëtare”.
Singh e bëri këtë deklaratë të fortë pa përmendur me emër Kinën, por theksoi ndër të tjera: “Vitet e fundit, disa shtete kufitare si Uttarakhand, Himachal Pradesh, Sikkim dhe Territoret e Unionit (UT) si Ladakh kanë vënë re një rritje të numrit të fatkeqësive natyrore. Himalajet shtrihen edhe në shtete të tjera, por incidente të tilla kufizohen vetëm në disa shtete, dhe ne nuk mund ta injorojmë këtë fakt”.
Megjithatë, aludimi është shumë i qartë pasi këto shtete kufizohen me rajonin e Tibetit, dhe janë zonat ku qëndron linja e kontrollit aktual midis Indisë dhe Kinës: sektori perëndimor (Aksai Chin në rajonin Ladakh), sektori i mesëm (Himachal Pradesh dhe Uttarakhand) dhe sektori lindor (Sikkim dhe Arunachal Pradesh).
Singh pohoi gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes e Indisë e ka marrë shumë seriozisht këtë situatë, dhe do të kërkojë ndihmë nga vendet mike për të studiuar dhe përjashtuar çdo përfshirje të ndonjë vendi armik në këtë çështje. Vetë termi ‘armik’, është vetë-shpjegues pasi India ka marrëdhënie shumë të acaruara me Kinën.
Më herët, disa rajone indiane kanë spekuluar hapur mbi ndërhyrjen e kinezëve. Në vitin 2018, qeveria shtetërore e Assam, pretendoi se pavarësisht mungesës së reshjeve masive, shteti përjetoi përmbytje të mëdha, dhe për këtë u akuzua ndërhyrja e Kinës në ekosistemin natyror në Tibet. Pyetja që ngrihet është: A po e modifikon apo jo Kina motin? Në vitin 2020, Këshilli i Shtetit lëshoi një qarkore ku thuhej se Kina do të zotërojë një sistem të zhvilluar të modifikimit të motit deri në vitin 2025, dhe sipërfaqja totale e funksionimit të reshjeve artificiale (reshjeve të dëborës), do të arrijë mbi 5.5 milionë kilometra katrorë.
Deri në vitin 2035, modifikimi i motit në Kinë, duhet të arrijë në një nivel të avancuar në mbarë botën për sa i përket funksionimit, teknologjive dhe shërbimeve. Në qershorin e vitit 2023, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës dhe Administrata Meteorologjike e Kinës (CMA), u mblodhën në një takim mbi eksperimentet me modifikimin e motit.
Në atë takim u lavdërua fuqia operacionale e Kinës për modifikimin e motit në shkallë të gjerë dhe efektive, nëpërmjet një sistemi tërësor. Ndërsa është e vështirë të vlerësohen synimet e saktë të Kinës, e sigurt është se Pekini është shumë serioz në synimet e tij për modifikimin e motit.
Është e rëndësishme të theksohet se Organizata Botërore Meteorologjike nuk mbron praktikat e modifikimit të motit, pasi ‘moti si një armë’ është përdorur në të kaluarën. Gjatë Luftës së Vietnamit, në kuadër të operacionit ‘Popeye’, SHBA përdori teknikat e mbjelljes së reve për të nxitur reshjet e mëdha të shiut. Synimi ishte zgjatja e sezonit të musonit dhe përmbytja e shtegut Ho Chi Minh, rruga kryesore që luftëtarët e armikut po përdornin për të shpërndarë furnizimet e tyre.
Pastaj në vitin 1976, Kombet e Bashkuara miratuan Konventën për ndalimin e teknikave ushtarake apo ndonjë përdorim tjetër armiqësor të modifikimit të mjedisit (ENMOD), e cila i ndalon shtetet të angazhohen në ushtri apo në çfarëdolloj përdorim tjetër armiqësor të teknikave të modifikimit të mjedisit që kanë një përhapje të gjerë dhe afatgjatë apo që shkaktojnë efekte të rënda si një mjet shkatërrimi, dëmtimi apo lëndimi të një shteti tjetër palë.
Sot pjesë e kësaj konvente janë 78 shtete. Vërejtjet e Ministrit indian të Mbrojtjes mbi “klimën si parametër i sigurisë kombëtare” janë të justifikuara. Shqetësimet e Indisë për qëllimet dhe veprimet e Kinës bazohen në arsyet e mëposhtme:
Së pari, Kina nuk është e detyruar të respektojë normën e mos-manipulimit të motit, pasi Pekini nuk është nënshkrues i konventës ENMOD. Në vitin 2005, Pekini ra dakord që Konventa të zbatohet vetëm për rajonet e posaçme administrative të Kinës në Hong Kong dhe Makao.
Së dyti, Kina i ka vërtetuar tashmë aftësitë e saj me praktikat e modifikimit të motit gjatë Lojërave Olimpike të Pekinit 2008, samitit të APEC të vitit 2014, paradave të Ditës Kombëtare, kremtimit të 100-vjetorit të Partisë Komuniste Kineze në vitin 2021, Lojërave Olimpike Dimërore në vitin 2022 etj. Gazeta kineze “South China Morning Post”, raportoi se një studim i fundit kishte zbuluar se shiu artificial e ulte me më shumë se 2/3 nivelin e PM2.5 dhe e përmirësoi cilësinë e ajrit nga “i moderuar” në “i mirë”.
Së treti, Kina drejton sot programin më të madh të modifikimit të motit. Që nga viti 1949, Kina ka bërë vazhdimisht zhvillime në modifikimin e motit, qoftë përmes themelimit të Institutit Meteorologjik Kinez në vitin 1978; miratimin e ligjit të saj të parë mbi modifikimin e motit në vitin 2002; shtimin në vitin 2005 të motit si një faktor kryesorë në planet e tij pesëvjeçare; shpenzimin e 1.34 miliardë dollarëve në periudhën 2012-2017 për të mbështetur programin e modifikimit të motit, aktivizimin e pajisjes më të madhe të kontrollit të motit që është vendosur në Rrafshnaltën Tibetiane që nga viti 2018 e shumë të tjera.
Së katërti, duke pasur parasysh afërsinë me Indinë, ndërtimi i dhomave të djegies së karburantit nga Kina në Rrafshnaltën Tibetiane për të rritur artificialisht reshjet e shiut, ngre shqetësime për Indinë dhe pjesën tjetër të Azisë Jugore. Siç raportoi “South China Morning Post”, më shumë se 500 djegës të tillë janë vendosur tashmë në shpatet alpine në Tibet, Xinjiang dhe zona të tjera për përdorim eksperimental.
Ndërsa është e vështirë të parashikohen efektet e mundshme e të menjëhershme të operacioneve të mbjelljes së reve të Kinës në Pllajën Tibetiane, India duhet të jetë vigjilente. Ajo duhet të monitorojë aktivitetet e kontrollit të motit të Kinës në Pllajën Tibetiane për të shmangur rreziqet e pajustifikuara nga praktikat e mbjelljes së reve.
Meqenëse moti është përdorur historikisht si një armë në luftë, India duhet të vlerësojë implikimet gjeopolitike dhe strategjike të aktiviteteve të Kinës dhe të zhvillojë ekspertizën e saj për të zbutur efektet e katastrofave artificiale të shkaktuara nga modifikimi i motit./Përshtati Pamfleti nga “Eurasia Riview”
Shënim: Amrita Jash, asistent/profesore në Departamentin e Gjeopolitikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Akademinë Manipal, Indi.
Lini një Përgjigje