Në prag të zgjedhjeve të së djelës që vjen, Bullgaria përballet me akuza serioze për manipulim zgjedhor dhe ndërhyrje të huaj. Frika nga dezinformimi rus dhe ndikimi strategjik amerikan e vendosin vendin në një ekuilibër të brishtë gjeopolitik.
Kryeministri i Bullgarisë, Andrey Gurov, ka premtuar masa më të ashpra kundër blerjes së votave dhe manipulimit zgjedhor, ndërsa vendi shkon drejt zgjedhjeve të teta parlamentare në pesë vjet.
Votimi vjen pas protestave masive të dhjetorit 2025, të nxitura nga akuzat për korrupsion të rrënjosur qeveritar dhe regres në sundimin e ligjit, të cilat rrëzuan koalicionin e udhëhequr nga qendra e djathtë GERB.
Gurov, ish-zëvendësguvernator i bankës qendrore dhe anëtar i partisë antikorrupsion “Continuing the Change”, u emërua kryeministër i përkohshëm më 11 shkurt. “Ajo që duam të bëjmë si qeveri është, për herë të parë, t’i mbrojmë zgjedhjet në vend që thjesht t’i administrojmë ato”- tha ai në një intervistë për Politico-n, duke theksuar qëndrimin neutral të ekzekutivit.
“Qytetarët duhet të shohin se këto zgjedhje po mbrohen realisht”- shtoi ai. Qeveria po përgatitet për ndërhyrje të mundshme, ku partia e sapoformuar e ish-presidentit të majtë Rumen Radev, “Bullgaria Progresive”, kryeson në sondazhe përballë liderit veteran të qendrës së djathtë, Boyko Borissov.
Javët e fundit, autoritetet kanë ndaluar më shumë se 200 persona në kuadër të një operacioni mbarëkombëtar kundër blerjes së votave dhe presionit ndaj votuesve. Skemat përfshijnë edhe abuzimin me programet e ndihmës sociale, si subvencionet për ngrohje dhe ushqimet për shtresat në nevojë.
Në disa raste, zyrtarë lokalë, përfshirë drejtues të shërbimeve postare, kanë keqinformuar qytetarët duke u thënë se përfitimet shtetërore vinin nga parti të caktuara politike. Sipas Gurov, një shtetas rus është kapur gjithashtu në Stara Zagora duke u përfshirë në manipulim zgjedhor përmes strukturave lokale.
“Inxhinieria e manipulimit ka ndryshuar. Në vend që të blejnë vota individuale, aktorët mund të sigurojnë mijëra vota me një veprim të vetëm”- nënvizoi kryeministri. Ky paralajmërim vjen në një moment kur besimi në sistemin politik ka pësuar një goditje të thellë. Sipas kryeministrit, qeveritë e njëpasnjëshme kanë qenë më të fokusuara në ruajtjen e pushtetit sesa në zbatimin e reformave të kërkuara nga qytetarët.
Dominimi 10-vjeçar i GERB-it mori fund në vitin 2021, duke i hapur rrugën një periudhe të gjatë qeverish të paqëndrueshme koalicioni dhe administratash të përkohshme. Edhe rikthimi i kësaj force në pushtet në vitin 2025 rezultoi jetëshkurtër, pasi protestat popullore e rrëzuan sërish.
“Këto koalicione janë kompromise për pushtet, jo për reforma. Ato u shërbejnë disa qarqeve politike, jo shoqërisë në tërësi”- shprehet Gurov. Ai paralajmëroi se pa adresimin e këtyre problemeve themelore, Bullgaria rrezikon të mbetet në një cikël të vazhdueshëm paqëndrueshmërie dhe apatie elektorale.
Megjithatë, Gurov këmbëngul se vendi mbetet një partner i besueshëm në aleancat perëndimore, përfshirë NATO-n, dhe një aktor i rëndësishëm në sigurinë e rajonit të Detit të Zi. Më 30 mars, ai nënshkroi një marrëveshje 10-vjeçare për sigurinë dhe mbrojtjen me Ukrainën, duke shkaktuar reagime të forta nga partitë populiste.
“Nuk mund të presim ‘momentin e duhur’ kur bëhet fjalë për sigurinë”- deklaroi ai. Sipas tij, partneriteti me Kievin i ofron Bullgarisë mundësi për zhvillim teknologjik dhe forcim të kapaciteteve ushtarake me përdorim të dyfishtë.
Ndërkohë, më 1 prill, Bullgaria ndërmori një hap të pazakontë për një shtet anëtar të BE-së, duke kërkuar zyrtarisht ndihmë nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm për të identifikuar dhe ndalur fushatat e aktorëve të huaj, kryesisht rusë, që synojnë manipulimin e opinionit publik.
Sofja kërkoi aktivizimin e mekanizmave që zakonisht përdoren për vende nën presion të lartë hibrid, si Moldavia. Qeveria bullgare synon të përdorë edhe Sistemin e Alarmit të Shpejtë sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale për të detyruar platformat si Meta, Google dhe TikTok të reagojnë në kohë reale ndaj dezinformimit.
Frika kryesore është përsëritja e një skenari ku fushata të koordinuara online ndikojnë ndjeshëm në rezultatin zgjedhor. Ndërkohë, prania e SHBA-së në Bullgari mbetet e fortë, por më e rezervuar.
Më 9 prill, Sekretari i Shtetit Marco Rubio zhvilloi një bisedë telefonike me Gurov, duke vlerësuar bashkëpunimin në siguri dhe projekte strategjike si Korridori Vertikal i Gazit, i rëndësishëm për diversifikimin energjetik.
Megjithatë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, si për shembull Hungaria, SHBA-ja nuk duket drejtpërdrejt e investuar në rikthimin e figurave të vjetra politike. Hija e skandaleve të korrupsionit dhe sanksionet ndaj bashkëpunëtorëve të afërt të Borissovit kanë krijuar një distancë të dukshme diplomatike.
Peizazhi politik bullgar mbetet thellësisht i fragmentuar. Forcat e djathta dhe populiste shpesh mbajnë qëndrime kontradiktore: skeptike ndaj mbështetjes për Ukrainën dhe më tolerante ndaj Rusisë, ndërkohë që përpiqen të identifikohen me linja politike amerikane konservatore.
Ky pozicionim i bën ato të dyshimta për partnerët perëndimorë. Nga ana tjetër, forcat liberale dhe teknokratike kërkojnë vazhdimësi dhe reforma të thella antikorrupsion, duke e parë integrimin më të fortë me BE-në si rrugën e vetme drejt stabilitetit.
Me afrimin e zgjedhjeve, pyetja kryesore nuk është vetëm se kush do të fitojë, por nëse vetë sistemi zgjedhor do t’i rezistojë presioneve të shumëfishta: nga njëra anë, rreziku i dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj; nga ana tjetër, nevoja për të ruajtur besimin e publikut dhe funksionimin demokratik.
Në një vend ku vota është blerë dikur me favore minimale sociale, beteja këtë herë pritet të zhvillohet në hapësirën dixhitale dhe në prapaskenat e shërbimeve sekrete, një test ky shumë i vështirë për demokracinë e brishtë bullgare./ Përshtati "Pamfleti" nga “Politico.eu”
Cdo popull te ndjeke intuiten e vet e jo ate Trapi-Putani ideologji, qe eshte ideologjia e xhepit e jo e shtetit.