Politike13 Shtator 2023, 12:31

Ndryshimet në qeveri si “qarkullim i ujit të qelbur”; ekzemplare janë Anila, Ogerta, Delina, Frida...

Shkruar nga Pamfleti
Ndryshimet në qeveri si “qarkullim i ujit të qelbur”;
Bëmat me ndryshimet në qeveri

Është tmerr edhe ta mendosh, që 2 vite pas shkarkimit dhe 2 muaj pas marrjes në hetim nga SPAK për pronat shtetërore, pajisjet kirurgjikale e landfillet, monstra e korrupsionit Anila Denaj, të rikthehet si “fytyrë dhe energji e re” në qeveri...

Ndryshimet e ministrave, u servirën si “nevojë për energji të reja” në qeverisje, por faktikisht janë pjesa më e vjetër, e konsumuar dhe e penalizuar që ka përdorur kryeministri Edi Rama për interesat e veta, energjia e vetme të cilëve është përulja dhe firmosja e çdo pazari.

Po e nisim me Evis Kushin, të cilën e përdori për të pastruar letrat e Lindita Nikollës e Plarent Ndrecës në tenderët arsimorë; projekt-ligjin për dhënien e universiteteve publike me koncesione; zhdukjen e 9 milionë Euro për gjoja uniformat sportive shkollore dhënë Fidel Yllit dhe propozimin e projekt-ligjit për rikthimin e bixhozit.

Rikthimi në qeveri i Arbjan Maznikut të bifteqeve të Alabbar në Dubai, rikthimi i Anila Denajt, ndryshimi i “tepsive” për Ogerta Manastirliun e Delina Ibrahimajn, emërimi i Albana Koçiut dhe largimi e zëvendësimi i Olta Xhaçkës, janë “trazim i ujit të qelbur” të qeverisë, brenda të cilit është vetë Babloku.

Nuk mund të quhet “energji e re” në krye të bujqësisë, Anila Denaj me dosje penale si ish-Drejtoreshë e Fondit të Sigurimit e Kujdesit Shëndetësor, që sipas KLSH ka zhdukur 43 milionë Euro fonde ilacesh me tenderë e ribursime false.

Kjo është me dosje penale si ish-Ministre e Ekonomi-Financave, që ka firmosur grabitjen me koncesione të 2 miliardë Euro prona të ushtrisë dhe vjedhjen e pronave të tjera shtetërore me shitje fikive për “5 lekë” e falsifikime dosjesh.

Ka lejuar dhe firmosur zhdukjen e afro 1 miliardë Euro evazion fiskal në tatime e dogana, me bilance false të oligarkëve dhe bizneseve të mëdha e të politikanëve, si dhe ka firmosur çeqet miliona Euro për PPP-të në shëndetësi e landfille.

Pas 2 vitesh shkarkim për paaftësi e korrupsion dhe 2 muaj pasi SPAK e ka marrë nën hetim bashkë me Xhaçkën e Beqjen për PPP në shëndetësi dhe pronat e ushtrisë, Babloku e riktheu Anila Denajn si “figurë e re” në krye të bujqësisë, kur edhe në këtë ministri, ajo si ish-ministre financash, ka firmosur batërdinë që bëri Frida Krifca kur ishte drejtoreshë e AZHBR.

Është tmerr edhe ta mendosh, që në krye të arsimit, të çohet Ogerta Manastirliu, ekzemplare e hajdutërisë së fondeve publike, me 3 dosje në SPAK për 38 milionë Euro tenderë sekret të “Covid 19”; për shtimin e 40 milionë Euro në koncesionin e pajisjeve kirurgjikale dhe për afro 300 milionë Euro abuzime me tenderë ilaçesh e investimesh në shëndetësi.

Gjashtë muaj pasi EUROJUST, Drejtësia Gjermane dhe Zyra Anti-mashtrim e BE filluan hetimin për Frida Krifcën; dhe 3 muaj pas deklaratës së Altin Dumanit për marrjen e saj në hetim, Babloku e largoi nga “haremi” që të mos arrestohet gjatë detyrës si ministre.

Pavarësisht se Olta Xhaçkën, ka 1 vit që po e shpëton nga heqja e mandatit, Babloku u detyra ta largonte dhe gruan e vëlla Olsit, jo për aferën si investitore strategjike, por për pajisje mafiozësh me pasaporta diplomatike dhe zullume që kanë cenuar interesat e NATO, SHBA-BE.

Delina Ibrahimaj e financave, është tjetër ministre që Babloku e shkarkoi para 2 muajsh dhe pas i anuloi vendimin, e çoi ministre të sipërmarrjes, duke e prezantuar si “fytyrë e energji të re”, kur është monstra e korrupsionit me fondet e pasuritë publike, evazionin fiskal 800 milionë Euro në Tatime vetëm në 7 muajt e parë të vitit 2023 etj., etj.

Dhe Albana Koçiu, është “ujë i qelbur” prej 10 vitesh Drejtoreshë e Administratës Publike, që ka shkatërruar projektin e BE për strukturën e nëpunësve civil, duke bërë konkurse false, nepotizëm e analfabetizëm specialistësh dhe drejtuesish në institucione, ndërsa Babloku e çoi në krye të shëndetësisë, për të pastruar dhe vazhduar zullumet Ogertës.

Mund të quhet “ujë i pastër”, anonimi Igli Hasani që zëvendësoi Olta Xhaçkën, por i hedhur në “fuçinë me ujë të qelbur”, edhe ky do ndotet, ose do shkarkohet shumë shpejt nëse si Ministër i Jashtëm nuk do zbatojë diplomacinë personale serbo-aziatike-e arabe të Bablokut.

Ndërsa Ervin Mete i sektit “Mjaft”, djali ish-prokurorit Bilbil Mete, që dha dorëheqjen nga frika e Veting-ut dhe që ka pushuar shumë dosje të Bablokut në bashki e të vartësve të tij në qeveri, është emëruar Ministër i Financave, megjithëse dosjen e SPAK për landfillet, emri i tij është përmendur 13 herë si pjesë e grupit “Zoto-Mërtiri”, kur ishte Zv/ministër i Financave. /Pamfleti

qeveria rama ministret