Politike13 Shtator 2023, 12:07

Rama mburret me drejtësinë dhe sulmon SHBA-BE që “nxijnë” çdo vit qeverinë: I marrin raportet ‘copy paste’!

Shkruar nga Pamfleti
Rama mburret me drejtësinë dhe sulmon SHBA-BE që
Edi Rama

Raportet copy paste nga viti i mëparshëm janë bërë modë dhe institucione të rëndësishme apo organizata me emër të madh...

Ish-kryeministri Edi Rama vijon të mburret me drejtësinë e re. Ndonëse ai ka pas hekurave shumë zyrtarë të tij, për Ramën kjo është një sukses dhe tregues se reforma po funksionon.

Kryeministri ka bërë një status të gjatë në rrjetet sociale, ku krenohet me 3 momente. Ai rendit të parin drejtimin e Këshillit të Sigurisë, reformën në drejtësi dhe raportet Kosovë-Serbi.

Sa i takon drejtësisë, Rama mburret me reformën, teksa ja u ka bërë të qartë dhe të vetëve se do mbajnë përgjegjës për “dardhat që kanë ngrënë pa shpine”.

Shumica parlamentare dhe qeveria që unë drejtoj, kanë ideuar e mbështetur vendosmërisht një reformë aq të thellë dhe aq thellësisht europizuese të sistemit drejtësisë, sa që sot, për herë të parë në historinë e shtetit të saj, Shqipëria po e nxjerr kokën mbi ujin e ndenjur të pandëshkueshmërisë sistemike 100 e kusur vjeçare. Hetimi dhe ndjekja e pavarur penale e një sërë zyrtarësh të lartë të lidhur me pushtetin politik të radhës, përfshirë njërin prej zëvendëskryeministrave të mi të mëparshëm, janë prova kokëfortë e një ndryshimi epokal në jetën e vendit tonë. Shumë thanë se nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri që të prekeshin të pushtetshmit, por kjo tanimë është e qartë që po ndodh. Të tjerë thanë se qeveria do t’i kontrollonte gjithësesi organet e reja të drejtësisë, por kjo tanimë është e qartë që nuk ndodh”, shprehet Rama.

Ndërkohë Rama e ka dhe me ndërkombëtarët. SHBA dhe BE në raportet e tyre vjetore e nxijnë qeverinë shqiptare dhe kryeministri shprehet se marrin të njëjtat gjëra nga viti i kaluar pa parë realitetin.

Mungesa e sukseseve në hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e korrupsionit në nivel të lartë, janë avazi që i përsëritet çdo vit nga të katër anët Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe Shqipërisë po njësoj. Raportet copy paste nga viti i mëparshëm janë bërë modë dhe institucione të rëndësishme apo organizata me emër të madh, i rishtypin ato me ndonjë të re që është po aq e vjetër sa të mëparshmet, bazuar në anketime e perceptime që mblidhen nën hijen e atij stereotipi.

Por fatmirësisht, ne e dimë më mirë se kushdo edhe sa shumë gjëra kanë ndryshuar, po edhe sa shumë gjëra duhen ndryshuar akoma dhe nëse ka një vend në këtë rajon, i cili meriton shumë më tepër respekt, madje edhe lëvdata inkurajuese për faktet e lidhura me këtë luftë, ky vend është Shqipëria. Megjithatë, të gjithë duhet ta dinë, se edhe pse disa fjalë të mira dhe plotësisht të merituara, do të na gëzonin si shenjë respekti, përsëritja e të njëjtit avaz nuk na mërzit fare, sepse ne nuk po e bëjmë këtë luftë as për Brukselin, as për Berlinin apo Uashingtonin, po për fëmijët e sotëm të Shqipërisë së nesërme”, shkruan ai.

Më tej ai është ndalur dhe te Fredi Beleri. Rama ja ka bërë të qartë Athinës se nuk do të ndërhyjë për lirinë e tij. Rama më tej ka folur edhe si kreu i SPAK, duke premtuar se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit do të thellohet.

Ndonjë po thotë se kur vjen puna tek ndonjë patate shumë e nxehtë në duart e drejtësisë, si ajo e zotit Beleri, unë duhet të ndërhyj e ta hedh pataten në det, por kjo nuk ka për të ndodhur kurrësesi. Dhe unë vetëm do të përsëris deri në bezdi për shumëkënd, se lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar vetëm do të thellohet, pavarësisht dhimbjeve e kostove, sepse kjo luftë është e drejtë dhe e domosdoshme për Shqipërinë Europiane të të gjithë fëmijëve të këtij vendi. Fatkeqësisht, hija e stereotipit se korrupsioni është mënyra e jetesës në Ballkan dhe të gjithë janë njësoj, prandaj të gjithë duhen treguar me gisht, çfarëdo që të bëjnë për të provuar të kundërtën, shtrihet deri mbi çatitë e zyrave të kryeqyteteve perëndimore”, vijon ai.