Një investigim zbulon mënyrën se si organizata kriminale franceze dyshohet se ka krijuar një sistem të ndërlikuar për gjenerimin, pastrimin dhe investimin e fitimeve nga trafiku i drogës, duke përdorur kompani fiktive, pasuri të paluajtshme, ar, kriptomonedha dhe persona të tretë…
Sipas një investigimi ekskluziv të gazetës franceze Le Parisien, dosja gjyqësore "Octopus", e drejtuar nga një gjyqtar hetues në Marsejë, ofron një panoramë të gjerë mbi strukturën financiare të DZ Mafia, organizatë që autoritetet franceze e konsiderojnë një nga grupet më të fuqishme të krimit të organizuar në vend.
Hetimi nuk fokusohet te vrasjet apo përplasjet mes bandave, por te mënyra se si organizata gjeneron, lëviz, fsheh dhe investon fitimet nga trafiku i drogës.
Sipas përgjimeve të përfshira në dosje, drejtuesit e organizatës flasin për të ardhurat e pikave të shitjes së drogës në lagje të ndryshme të Marsejës. Duke krahasuar përgjime të ndryshme, hetuesit arrijnë në përfundimin se vetëm nga aktiviteti në Marsejë organizata mund të arkëtojë qindra mijëra euro çdo ditë. Në një tjetër përgjim, një nga drejtuesit pretendon se organizata importon rreth 100 kilogramë kokainë në javë, çka tregon shkallën industriale të aktivitetit kriminal.
Prokuroria e Juridiksionit të Specializuar Kundër Krimit të Organizuar (JIRS) në Marsejë e përshkruan DZ Mafia si një organizatë me strukturë mafioze, me një degë të armatosur dhe me aftësi të vazhdueshme për të zgjeruar burimet e të ardhurave dhe mekanizmat e pastrimit të parave. Sipas dokumenteve të cituara nga Le Parisien, hetuesit vlerësojnë se niveli i organizimit dhe ndikimit të saj nuk ka pasur precedent në Francë.
Një element qendror i hetimit është fakti se shumë prej drejtuesve vazhdojnë të drejtojnë aktivitetet kriminale edhe nga burgu. Kur nuk kanë mundësi të përdorin telefona celularë, ata mbështeten te ndërmjetës, kryesisht gra të afërta, partnere ose bashkëpunëtore, të cilat përcjellin urdhra, organizojnë pagesa, dërgojnë mesazhe, koordinojnë dërgesa me dron drejt burgjeve dhe shpërndajnë para për familjarët ose bashkëpunëtorët. Sipas hetuesve, këto vizita paguheshin me 500 euro në para në dorë, të cilat merreshin më pas nga pikat e shitjes së drogës.
Hetimi tregon gjithashtu se fitimet nuk shpenzohen vetëm për luks personal. Të afërmit e drejtuesve, sipas autoriteteve, përfitojnë nga ora të shtrenjta, makina luksoze, transferta bankare dhe shërbime të tjera të financuara nga të ardhurat kriminale.
Një pjesë e rëndësishme e dosjes lidhet me rrjetin e kompanive që dyshohet se janë përdorur për pastrimin e parave. Hetuesit identifikuan një biznesmen në Aix-en-Provence, i cili kontrollonte dhjetëra kompani. Sipas tyre, këto kompani jo vetëm shërbenin për të fshehur origjinën e parave nga trafiku i drogës, por ishin përfshirë edhe në mashtrime me fondet e programit francez të formimit profesional (CPF). Autoritetet dyshojnë se mashtrimi arrinte në 29 milionë euro, ndërsa pesë persona të lidhur me DZ Mafia, përmes 24 kompanive, dyshohet se përfituan rreth 2,7 milionë euro.
Sipas hetimit, organizata nuk mjaftohet me pastrimin e parave, por investon për t'i shumëfishuar ato. Një nga destinacionet kryesore të investimeve është sektori i pasurive të paluajtshme. Në Francë janë identifikuar shtatë prona me vlerë mbi një milion euro, por hetuesit besojnë se pjesa më e madhe e pasurisë ndodhet jashtë vendit.
Në përgjimet telefonike përmenden vazhdimisht blerje apartamentesh në Dubai, shpesh në emër të personave të tretë, si edhe investime në Oran të Algjerisë. Njëri prej drejtuesve të organizatës mbikëqyrte këto investime nga qelia e burgut dhe në një bisedë deklaronte se tashmë ishte "milioner".
Përveç pasurive të paluajtshme, organizata dyshohet se ka investuar në restorante dhe biznese në Marsejë, duke përdorur administratorë formalë për të fshehur pronësinë reale. Sipas hetimit, në disa raste dyshohet se konkurenca është eliminuar edhe përmes kërcënimeve ose dhunës.
Një tjetër drejtues i grupit, i njohur me nofkën "Nasdas", sipas përgjimeve pretendonte se fitonte qindra mijëra euro çdo muaj dhe ishte në gjendje të paguante menjëherë dërgesa të mëdha droge. Partnerja e tij, sipas dosjes, përpiqej ta bindte të largohej nga aktiviteti kriminal, duke argumentuar se ai zotëronte tashmë më shumë se 2 milionë euro dhe mund të jetonte nga investimet.
Hetuesit zbuluan gjithashtu lëvizje të mëdha fondesh në kriptomonedha, ku miliona euro ose dollarë transferoheshin mes llogarive të ndryshme. Një hetim tjetër, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Antimafia të Milanos, kishte identifikuar më parë një rrjet ndërkombëtar pastrimi parash ku shfaqeshin edhe persona të lidhur me DZ Mafia.
Një pjesë e parave të gatshme, sipas autoriteteve, shndërrohej në ar për ta transportuar më lehtë jashtë Francës. Në shtator 2025, policia sekuestroi pranë Montpellier një automjet SUV që transportonte 55 kilogramë ar në shufra, të fshehura në një vend të posaçëm poshtë rrotës rezervë, ndërsa në një operacion tjetër në Aix-les-Bains u gjetën 2,4 milionë euro cash, të ndara në 106 pako kartëmonedhash.
Dosja përshkruan edhe përpjekjen e një drejtuesi tjetër të organizatës për të krijuar një shoqatë jofitimprurëse të quajtur "Les familles oubliées" ("Familjet e harruara"), e cila zyrtarisht do të ofronte ndihmë administrative, financiare dhe mbështetje për të burgosurit. Hetuesit dyshojnë se qëllimi real ishte krijimi i një mekanizmi të ri për pastrimin e parave përmes donacioneve dhe sigurimi i një kanali ligjor komunikimi me të burgosurit, përmes sistemit telefonik të lejuar për shoqatat. Projekti u ndal para se të vihej në zbatim.
Hetuesit e dosjes "Octopus" arrijnë në konkluzionin se DZ Mafia nuk funksionon vetëm si një organizatë e trafikut të drogës, por si një strukturë ekonomike e organizuar, e mbështetur nga një rrjet i gjerë individësh, kompanish dhe ndërmjetësish që ndihmojnë në fshehjen, investimin dhe shtimin e fitimeve nga aktivitetet kriminale. /Përshtati Pamfleti nga Le Parisien/
Lini një Përgjigje