Kombëtarja e Republikës Demokratike të Kongos ka befasuar Anglinë në pjesën e parë të takimit, duke shkuar në pushim me avantazhin minimal 1-0 në sfidën e zhvilluar në "Mercedes-Benz Stadium" të Atlantës.
Kongo gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 7-të. Pas një topi të gjatë të Shansel Mbemba dhe një momenti pasigurie në mbrojtjen angleze, Brajan Cipenga përfitoi nga gabimi i Djed Spence dhe mposhti portierin Xhordan Pikford për 1-0.
Anglia reagoi dhe krijoi disa raste të mira për barazim. Në minutën e 30-të, Xhud Belingam provoi me kokë, por portieri Lionel Mpasi-Nzau realizoi një pritje spektakolare. Pesë minuta më vonë, Markus Rashford iu afrua golit, por tentativa e tij u largua në vijën fatale nga Aron Uan-Bisaka.
Edhe Kongo pati mundësinë të dyfishonte epërsinë. Në minutën e 42-të, Joan Uisa goditi shtyllën e djathtë, duke qenë shumë pranë golit të dytë.
Në fundin e pjesës së parë, Anglia kërkoi penallti pas një rrëzimi në zonë, por arbitri e konsideroi rastin simulim. Episodi u rishikua edhe me ndihmën e sistemit VAR, i cili konfirmoi vendimin e gjyqtarit për të mos akorduar 11-metërsh.
Në kohën shtesë, Belingham provoi sërish me kokë, por Mpasi-Nzau ishte edhe një herë vendimtar, duke ruajtur portën e paprekur. Pas 45 minutave të para, Kongo kryeson 1-0 ndaj Anglisë.
Lini një Përgjigje