Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar sërish se kundërshton çdo përfshirje të trupave turke apo katariote në Rripin e Gazës, duke thelluar përplasjen me Shtetet e Bashkuara lidhur me të ardhmen e qeverisjes së këtij territori. “Nuk do të ketë as turq, as katariotë në Rripin e Gazës”, u shpreh Netanyahu në parlamentin izraelit, duke lënë të kuptohet se Tel Avivi nuk e miraton përbërjen e platformës së propozuar nga Uashingtoni për periudhën pas përfundimit të luftës.
Kundërshtimi i Izraelit është përqendruar kryesisht tek “Këshilli i Paqes”, një strukturë e sapokrijuar nën drejtimin personal të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka propozuar një plan për stabilizimin dhe rindërtimin e Gazës pas luftës. Sipas Shtëpisë së Bardhë, komiteti ekzekutiv i kësaj nisme do të funksionojë në mënyrë këshillimore dhe do të përfshijë figura kyçe të diplomacisë ndërkombëtare, mes tyre ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, dhe diplomatin e lartë të Katarit, Ali al-Thawadi.
Zyra e kryeministrit Netanyahu ka reaguar që të shtunën ndaj përbërjes së kësaj strukture, duke nënvizuar se vendimi është marrë “pa koordinim me Izraelin dhe në kundërshtim me politikën izraelite”. Netanyahu tha se i ka kërkuar ministrit të Jashtëm të nisë bisedime të drejtpërdrejta me homologun amerikan për të sqaruar qëndrimin e Izraelit dhe për të ndikuar në përbërjen dhe rolin e kësaj platforme.
Izraeli ka qenë vazhdimisht kundër përfshirjes së Turqisë në administrimin e periudhës pas konfliktit në Gaza, sidomos pas tensioneve që kanë përshkallëzuar marrëdhëniet midis dy vendeve që nga 7 tetori 2023, kur Hamasi ndërmori një sulm të paprecedent ndaj territorit izraelit.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se marrëveshja për armëpushimin në Gaza ka hyrë në fazën e saj të dytë. Ky fazë përfshin çarmatosjen e Hamasit, tërheqjen graduale të trupave izraelite nga zonat që kontrollojnë në territorin palestinez dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.
Nuk është bërë ende publike se cilat vende do të marrin pjesë në këtë mision, i cili ka si qëllim të sigurojë stabilitetin dhe rendin në Gaza dhe të ndihmojë në trajnimet e strukturave të reja të sigurisë palestineze. Kjo nismë, edhe pse në letër mbështetet nga disa aktorë ndërkombëtarë, po përballet me kundërshtime të forta nga vetë Izraeli, i cili duket se kërkon të ruajë kontrollin e plotë mbi të ardhmen politike dhe të sigurisë në territorin e Gazës.
Lini një Përgjigje