Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në konferencën për shtyp të mbajtur sot, sulmoi ashpër udhëheqjen iraniane dhe deklaroi se lideri i ri suprem i Iranit po shmang paraqitjet publike pas zhvillimeve të fundit në konflikt.
“Ne eliminuam tiranin e vjetër dhe tani i riu nuk guxon të shfaqet publikisht,” tha Netanyahu, duke iu referuar ndryshimeve në udhëheqjen e Iranit pas goditjeve të fundit.
Ai shtoi se operacionet izraelite kanë goditur rëndë strukturat e regjimit në Teheran. “Ne kemi goditur zemrën e programit të tyre ushtarak dhe të rrjetit që përdorin për të kërcënuar Izraelin dhe rajonin,” deklaroi kryeministri izraelit.
Netanyahu theksoi se Izraeli do të vazhdojë të veprojë kundër çdo kërcënimi që vjen nga Irani dhe nga aleatët e tij në rajon. “Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët tanë dhe për të ndalur agresionin iranian,” u shpreh ai.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme mbeten shumë të larta, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit dhe sulmeve të ndërsjella në rajon.
Në të njëjtën kohë, mungesa e paraqitjeve publike të liderit të ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, ka nxitur spekulime në media, pasi mesazhet e tij deri tani janë transmetuar vetëm përmes deklaratave të shkruara nga mediat shtetërore iraniane.
Lini një Përgjigje