Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se SHBA po ndërmerr veprimet e nevojshme në lidhje me Iranin dhe se Teherani po përballet me pasoja të rënda nga situata aktuale.
Trump foli gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte i pranishëm edhe bashkëshortja e tij, Melania Trump, në kuadër të aktiviteteve për Muajin e Historisë së Grave. Gjatë fjalës së tij, presidenti amerikan devijoi nga tema për të komentuar zhvillimet në konfliktin me Iranin.
“Situata me Iranin po ecën shumë shpejt. Po bëjmë atë që duhet bërë”, tha Trump.
Ai e përshkroi Iranin si “një komb terrori dhe urrejtjeje” dhe shtoi se vendi po paguan një çmim të madh tani.
“Ata janë vërtet një komb terrori dhe urrejtjeje, dhe po paguajnë një çmim të madh tani”, shtoi ai.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu deklaratat e tij të mëparshme për forcën ushtarake të Shteteve të Bashkuara, duke e cilësuar ushtrinë amerikane si më të mirën në botë. Trump kritikoi edhe administratat e mëparshme amerikane, duke thënë se ato nuk kishin ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ndaluar përpjekjet e Iranit për të zhvilluar një armë bërthamore.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe ndërsa situata mes SHBA-së dhe Iranit mbetet në zhvillim.
Lini një Përgjigje