TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Dhjetor 2025, 19:35

Nga fillimi i Revolucionit Amerikan te lindja e Beethoven, ngjarjet kryesore të datës 16 dhjetor

Shkruar nga Pamfleti

Nga fillimi i Revolucionit Amerikan te lindja e Beethoven, ngjarjet kryesore

16 Dhjetor 1773 - “Festa e Çajit” në Boston, revolta që çoi drejt Revolucionit Amerikan  

Në Portin e Bostonit, një grup kolonistësh të Masaçusetsit të maskuar si indianë mohokë, hipin në 3 anije dhe hedhin në det 342 arka të mbushuraa me çaj.

Bastisja e mesnatës, e njohur gjerësisht si ”Festa e Çajit në Boston”, ishte në shenjë proteste ndaj Aktit të Çajit të Parlamentit Britanik të po atij viti, një projektligj i hartuar enkas për të shpëtuar nga falimentimi Kompaninë e Indisë Lindore, së cilës i garantoi monopolin në këtë fushë.

Taksa e ulët e lejoi Kompaninë së Indisë Lindore të ulte çmimin edhe për çajin që hynte kontrabandë në Amerikë nga tregtarët holandezë, dhe shumë kolonë e shihnin aktin si një shembull tjetër të tiranisë tatimore që Londrës.

Një grup kolonistësh protestuan kundër 13 viteve të shtypjes britanike në rritje duke sulmuar anijet tregtare në Portin e Bostonit. Kur 3 anije të mbushura me çaj, Dartmouth, Eleanor dhe Beaver, mbërritën në Portin e Bostonit, kolonistët kërkuan që çaji të kthehej mbrapsht në Angli. Kur guvernatori i Masaçusetsit, Tomas Hatçinson, refuzoi, udhëheqësi i Patriotëve, Samuel Adams, organizoi “festën e çajit” me rreth 60 anëtarë të “Bijve të Lirisë”, grupit të tij të rezistencës ilegale.

Çaji britanik i hedhur në Portin e Bostonit natën e 16 dhjetorit vlente gati 2 milionë dollarë me vlerën e sotme.

I indinjuar nga shkatërrimi flagrant i pronës britanike, parlamenti britanik miratoi në vitin 1774 Aktet Shtrënguese, të njohura edhe si Aktet e Patolerueshme. Ato e mbyllën Bostonin për anijet tregtare, vendosën sundimin formal ushtarak britanik në Masaçusets, i bënë zyrtarët britanikë imunë ndaj ndjekjes penale në Amerikë dhe i detyruan kolonistët që t’u shërbenin trupave britanike.

Në këto kushte, kolonistët organizuan Kongresin e parë Kontinental për të shqyrtuar mundësinë e fillimit të një rezistence të bashkuar amerikane ndaj britanikëve.

Ngjarje të tjera të rëndësishme:

16 Dhjetor 1770 - Lindi në Këln të Gjermanisë, Ludvig van Bet’hoven, kompozitor dhe pianist, një figurë e rëndësishme në tranzicionin midis epokave klasike dhe romantike të muzikës. Ai mbetet ende sot një kompozitorët nga më të famshëm dhe më me ndikim.

Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë. Bet’hoven shkoi në Vjenë në 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi famë si një pianist i talentuar. Biografët thonë se ai ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit.

Në vitin 1804, kur u bënë të qarta ambiciet perandorake të Napoleonit, Bet’hoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë. Më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Sinfonia heroike, për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, princit austriak Franc Jozef, në pallatin e të cilit u interpretua për herë të pare sinfonia e tretë. Bet’hoven jetoi në Vjenë deri në vdekjen e tij në vitin 1827.

Në dekadën e fundit të jetës, ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër; u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara, vijnë pikërisht nga kjo periudhë.

16 Dhjetor 1942 - Në kulmin e Holokaustit, Hajrih Himler urdhëron që personat romë, të caktuar për shfarosje, të dërgohen me trena në kampin e Aushvicit.

16 Dhjetor 1944 - Gjermanët nisën ofensivën e fundit të madhe të Luftës së Dytë Botërore, Operacionin “Mjegulla e Vjeshtës”, e njohur më shumë si Ofensiva e Ardeneve. Ishte një përpjekje e dëshpëruar për të shtyrë vijën e frontit të Aleatëve në perëndim nga Franca Veriore në Belgjikën Veriperëndimore.

Gjermanët përdorën rreth 250.000 ushtarë në sulmin fillestar kundër vetëm 80.000 amerikanëve. Beteja zgjati 3 javë, duke u shkaktuar humbje të rënda amerikanëve. Gradualisht me ardhjen e përforcimeve, balanca ndryshoi, dhe në fund gjermanët u tërhoqën për betejën finale, atë për mbrojtjen e Berlinit.

16 Dhjetor 1950 - Presidenti amerikan Herri S.Truman shpall gjendjen e jashtëzakonshme, pasi trupat kineze hyjnë në luftë përkrah komunistëve të Koresë së Veriut.

16 Dhjetor 1985 - Në Nju Jork, mafiozët e famshëm Pol Kastelano dhe Tomas Biloti qëllohen për vdekje me urdhër të Xhon Gotit, i cili sapo ishte emëruar në krye të familjes mafioze Gambino./ Përshtati "Pamfleti"
"

beethoven revolucioni amerikan

Lini një Përgjigje