
Joe Biden do fitojë sërish zgjedhjet presidenciale. Donald Trump do refuzojë të pranojë humbjen, por në SHBA nuk do të ketë trazira shumë të mëdha...
2023-shi ishte viti ku ne pranuam se mund të parashikonim gjithçka përveç të ardhmes. Arritëm të parashikonim me saktësi verdiktin e zgjedhjeve në Turqi dhe Poloni. Ne dështuam të parashikonim zhvillimin gjeopolitik më të përfolur të vitit: luftën midis Izraelit dhe Hamasit që shpërtheu në tetor.
Këto dështime të mëhershme, vërtetuan edhe njëherë marrëdhënien komplekse midis tendencave dhe krizave. Gjithsesi më poshtë janë parashikimet tona për vitin 2024. Veç ngjarjeve që janë në zhvillim e sipër ne parashikojmë se historia më e rëndësishme e vitit 2024 nuk është në listën e mëposhtme, dhe mund të jetë diçka befasuese.
1. Ekonomia kineze rifillon një nivel rritjeje, që edhe pse më e ulët se mesatarja e saj e 30 viteve të fundit, e kalon atë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Rritja e Kinës u ngadalësua ndjeshëm vitin e kaluar, duke nxitur pretendimet se mrekullia ekonomike kineze kishte marrë fund, dhe se ajo s’do të bëhej kurrë ekonomia më e madhe në botë. Ne jemi pjesërisht dakord. Kina nuk do të rikthehet tek rritja e saj e mëparshme shumë e shpejtë. Por këtë vit do të rritet më shpejt se ekonomitë e SHBA-së dhe BE-së.
2. Joe Biden do fitojë sërish zgjedhjet presidenciale. Donald Trump do refuzojë të pranojë humbjen, por në SHBA nuk do të ketë trazira shumë të mëdha.
Ka një frikë të përhapur se Trump do të rimarrë presidencën këtë vit, dhe do të shkatërrojë konceptet e transatlantizmit, demokracisë dhe diskursit civil. Kjo frikë është e justifikuara, por bazuar në dinamikën në shtetet kyçe, ne besojmë se ai mund të humbë. Biden do të fitojë sërish votën popullore dhe do të sigurojë një shumicë në kolegjin elektoral. Trump do t’u bëjë sërish thirrje mbështetësve të tij radikalë me pretendimin se zgjedhjet janë vjedhur, por rezultati i zgjedhjeve do të mbetet i pandryshuar.
3. Lufta e Gazës do të përfundojë, por nuk do të pasohet nga asnjë proces zgjidhjeje apo paqeje. Gaza do mbetet e izoluar.
Tmerret e përditshme të luftës së Gazës do të marrin fund këtë vit. Por situata komplekse politike në Tel Aviv, Ramallah dhe Uashington e bën të pamundur një zgjidhje afatgjatë apo proces paqeje. Gaza do të mbetet e izoluar, po ashtu edhe Bregu Perëndimor.
4. Nën qeverinë e re, Polonia do jetë shteti kryesor i BE-së në politikën ndaj Rusisë dhe çështjet e mbrojtjes.
Qeveria e re polake do të zgjidhë në përgjithësi mosmarrëveshjet e saj me BE-në dhe Gjermaninë. Me në krye Donald Tusk, ajo do të nisë të marrë një rol udhëheqës në çështje të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me politikat ndaj Rusisë dhe çështjet e mbrojtjes evropiane.
5. Partia Laburiste do të rimarrë pushtetin në Britani pas një fitoreje të madhe në zgjedhjet parlamentare.
Kryeministri i ri do të nisë përpjekjet për ta afruar vendin me BE-në, edhe pse nuk do jetë në diskutim ribashkimi. Periudha e vetë-margjinalizimit ideologjik e nisur nga David Cameron në vitin 2010 dhe e vazhduar nga pasardhësit e tij konservatorë, do të shënojë fundin e saj me disfatën elektorale.
6. Në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, partitë e qendrës (EPP, S&D dhe RE), do të ruajnë shumicën, pavarësisht nga një zhvendosje e fortë në të djathtën ekstreme, me fitoren e partive populiste kundër emigrantëve.
Zgjedhjet e qershorit, nuk do të jenë një referendum për projektin evropian, sepse partitë populiste janë distancuar nga politikat e tyre për t’u larguar nga BE, por edhe nga mbështetja për Putin. Edhe pse do të përdorin politika kundër migracionit për të mobilizuar votuesit, nuk do të fitojnë mjaftueshëm vota për të prishur shumicën e koalicionit aktual të qendrës.
7. Mosmarrëveshjet e reja BE-Kinë mbi makinat elektrike, do të jenë mbi sigurinë dhe jo për subvencionet.
Evropianët do të kuptojnë këtë vit se makinat elektrike kineze paraqesin një kërcënim për sigurinë por edhe për ekonominë. Këto makina janë aq shumë të mbushura me sensorë, inteligjencë artificiale dhe algoritme të mbledhjes së të dhënave, saqë kanë potencialin të shërbejnë si miliona spiunë kinezë në të gjithë Evropën.
8. Konflikti i Ukrainës do të mbetet një luftë evropiane dhe jo globale.
Pavarësisht se kush do të jetë president, SHBA nuk do të jetë më një lidere në mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Po ashtu, pjesa tjetër e botës do të përqendrohet tek krizat më pranë shtëpisë. Vende të ndryshme evropiane, sidomos Polonia, do të marrin përgjegjësinë për shumicën e parave dhe armëve të dërguara në Ukrainë.
9. Qeveria e SHBA përcakton se ka autoritetin e duhur ligjor për të sekuestruar asetet ruse. Ajo u kërkon shteteve të ndryshme anëtare të BE-së të bëjnë të njëjtën gjë. Por këtu të fundit do të refuzojnë.
Kongresi do t’i japë presidentit autoritetin për të sekuestruar asetet ruse dhe për t’ia dhënë ato Ukrainës. Administrata Biden do të synojë të bindë Britaninë dhe vendet anëtare të BE-së të bëjnë të njëjtën gjë, meqë shumica e aseteve ruse mbahen në Evropë. Por BE do të mbetet peng i debateve të brendshme.
10. Të gjelbrit shndërrohen në një forcë kryesore në politikën evropiane. Ata do jenë shkaku dhe pasoja e zhvendosjes djathtas në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Evropianët do të vazhdojnë të mbështesin luftën kundër ndryshimit të klimës. Por ata do të kundërshtojnë gjithnjë e më shumë përpjekjet specifike për ta realizuar këtë. /Përshtati “Pamfleti” nga “European Council on Foreign Relations”
Lini një Përgjigje