TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Prill 2026, 08:35

Nga kërcënimet te pasiguria: çfarë fshihet pas qëndrimit të Trump në krizën me Iranin

Shkruar nga Pamfleti
Nga kërcënimet te pasiguria: çfarë fshihet pas
Donald Trump

Pas qëndrimit sfidues që presidenti amerikan shfaq publikisht ndaj Iranit, qëndron një dimension më pak i dukshëm: frika personale dhe politike.

Kur iranianët arritën të rrëzonin një avion luftarak amerikan, Donald Trump urdhëroi menjëherë ushtrinë të ndërhynte për të shpëtuar pilotin e zhdukur. “Këshilltarët e kishin mbajtur presidentin jashtë dhomës ku merrnin përditësime minutë pas minute për operacionin, sepse mendonin se padurimi i tij nuk do të ndihmonte”.

Kështu raportoi Wall Street Journal në një analizë mbi ditët më të ndërlikuara të luftës, me titull: “Behind Trump’s Public Bravado on the War, He Grapples With His Own Fears”. Sipas gazetës, pas qëndrimit sfidues që presidenti amerikan shfaq publikisht ndaj Iranit, qëndron një dimension më pak i dukshëm: frika personale dhe politike. Kryesorja lidhet me mundësinë që ai të mos arrijë të paraqesë një rezultat si fitore, çka do të hapte rrugën për pasoja elektorale në zgjedhjet e ndërmjetme të nëntorit një shqetësim që, sipas artikullit, dominon diskutimet mes këshilltarëve të tij më të afërt.

Rindërtimi i Wall Street Journal, gazetë financiare me bazë në Manhatan, përshkruan një president më pak të kontrolluar në prapaskenë. Mbrëmjen e së Premtes së Shenjtë, pasi mori lajmin për avionin e rrëzuar, “ai kishte bërtitur për orë të tëra ndaj ndihmësve të tij”. Ai shprehu pakënaqësi ndaj aleatëve europianë për mungesë mbështetjeje, u ankua për rritjen e çmimit të karburantit që kishte kaluar mesatarisht mbi 4 dollarë për gallon dhe ngriti paralelen me krizën e pengjeve të vitit 1979 gjatë presidencës së Jimmy Carter, duke shprehur frikën se mos përsëritej një dështim i ngjashëm: “Çfarë rrëmuje!”.

Të shtunën, pasi piloti u shpëtua, Trump shkoi për të fjetur pas orës dy të mëngjesit. Megjithatë, vetëm gjashtë orë më vonë, ai u rikthye në rrjetet sociale me një mesazh ku u kërkonte iranianëve “të çmendur” të rihapnin Ngushticën, duke paralajmëruar se përndryshe “do të jetoni në ferr”. Sipas Wall Street Journal, ai kishte shtuar personalisht edhe një lutje ndaj Allahut, “për t’u dukur sa më i paqëndrueshëm dhe ofendues, me bindjen se kjo do t’i shtynte kundërshtarët drejt tryezës së negociatave”. Më pas, ai kishte pyetur bashkëpunëtorët: “Si po funksionon?”.

Rezultatet nuk ishin të kënaqshme. Për këtë arsye, të martën, Trump publikoi një tjetër mesazh, ku kërcënonte se mund të shkatërronte “një qytetërim të tërë brenda një nate” nëse Republika Islamike nuk pranonte paqen sipas kushteve të tij. Vetëm 90 minuta më pas, ai njoftoi një armëpushim të brishtë, i cili pritet të jetë në qendër të negociatave të mundshme në Islamabad, nëse ato zhvillohen siç shpreson ai dhe çojnë në marrëveshjen që kërkon.

Sipas analizës, sjellja e Trump në këtë rast nuk lidhet vetëm me stilin e tij të njohur komunikues. Ajo reflekton presionin për të shmangur një dështim strategjik. Frika është që konflikti të marrë përmasa të ngjashme me krizën e vitit 1979 dhe të shndërrohet në një element përcaktues negativ të presidencës së tij. Kjo shpjegon edhe përpjekjen për ta përmbyllur shpejt konfliktin.

Baza elektorale “MAGA” e kishte mbështetur Trump edhe për premtimin për të shmangur përfshirjen në konflikte të gjata, veçanërisht në Lindjen e Mesme, dhe nuk kishte qenë plotësisht e bindur për ndërhyrjen në Iran. Tani, sipas artikullit, ndikimet ekonomike të krizës sidomos rritja e çmimeve po ndihen drejtpërdrejt nga qytetarët amerikanë, një faktor që zakonisht ndikon në sjelljen elektorale.

Në këtë kontekst, Susie Wiles, shefja e kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, e cilësuar si “zonja e hekurt”, ka zhvilluar takime emergjente me bashkëpunëtorë, strategë politikë dhe mbështetës të Partisë Republikane, me synimin për të shmangur humbje të mëdha në zgjedhjet e ndërmjetme.

Sipas New York Times, deri vonë konsiderohej pothuajse e sigurt që republikanët do të humbnin Dhomën e Përfaqësuesve. Megjithatë, tani po diskutohet edhe mundësia që Senati të bëhet konkurrues. Ky skenar mbetet i vështirë: demokratët duhet të ruajnë të gjitha 13 vendet që kanë në garë, përfshirë shtete më të pasigurta si Michigani dhe Xhorxhia, dhe të fitojnë të paktën katër vende nga republikanët. Maine shihet si më i arritshëm, ndërsa Karolina e Veriut, Ohio dhe Alaska mbeten sfiduese. Pavarësisht kësaj, diskutimet për këtë mundësi janë intensifikuar, duke rritur shqetësimin mes mbështetësve të Trump.

Humbja edhe vetëm e Dhomës së Përfaqësuesve do të kishte pasoja të trefishta: do ta dobësonte ndjeshëm presidentin politikisht, do të bllokonte axhendën e tij legjislative duke e kufizuar kryesisht në përdorimin e dekreteve ekzekutive, dhe do t’u jepte demokratëve mundësinë të nisin hetime të gjera ndaj administratës, të cilat edhe pa një procedurë të re shkarkimi do të mund të pengonin funksionimin e saj.

Në përpjekje për të rikuperuar mbështetjen publike, dhe pas një përplasjeje të konsideruar të papërshtatshme me Papa Leonin, Trump do të marrë pjesë në aktivitetin “America Reads The Bible”. Në këtë event, ai pritet të lexojë një varg nga Kronikat: “Nëse populli im, mbi të cilin është thirrur emri im, përkulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe largohet nga rrugët e tij të këqija, unë do të dëgjoj nga qielli, do ta fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj tokën e tij”./Përshtati "Pamfleti", nga "La Repubblica"

1 Komente

  1. Z
    Zhorzh

    Trampi eshte me i zgjuar se sa e mendojn , me tepër mendon si bizesmend se sa si politikan , Marrim versionin e parë; Kërkon me çdo kusht që ta bëjë monopol dhe te kontrolloj tregun botëror te naftën dhe gazit kudo qe ndodhet, te dobesoj dy aktorët kryesor konkurent , dhe meqenëse SHBA janë prodhuesit me te medhen te naftës dhe ekonomi e pa varur , u dikton dhe i detyron vendet ë tjera që ne shkëmbim të borxhit Amerikan ta merrni ne nafte ( nuk do u linte epilogi tjetër dhe do ishin te detyruar per te mbijetuar ta pranonin kushtin ) por situata është e veshtir dhe shume e rrezikshme për mbijetesë politike te krahut qe përfaqëson mbasi mentaliteti , kultura dhe psikologjia e kombit Amerikan si një populle i moderuar në kohe ne raport me kombet e tjere nuk pranon kostot qe mund te prodhoj konflikti , keshtu qe kostua kthehet ne mbështetje politike , Varianti i dytë ai politik bota do kaloj ne asfiksi ekonomike dhe te gjitha shtetet e bllokut perendimor pra mbështetësit do gjenden ne situata te vështir politikisht dhe do humbisni pushtetin me rrezikshmëri për demokracit globale mbasi do pirodhotiste dy ekstremet majtas apo djathtas qe s janë gje tjetër veçse ato komoniste apo fashiste dhe bota do do kthehej dekada mbrapa ne kohe ku do pirodhotisnte luftën e tret boterore dhe do ndodhte ajo qe thoshte i madhi ANSHTAINI ku jeta ne toke do fillonte nga njeqelizoret prap nga e para ; Gjithesejcili ta gjykoj vete te mirat dhe te këqijat te secilit variant Respekt

    Lini një Përgjigje