
Ish-presidenti amerikan do të dalë sot para gjykatës, në një proces historik për të dhe SHBA...
Donald Trump do të bëhet sot zyrtarisht ish-presidenti i parë që do të përballet me akuza penale. Pasdite ai do të dalë par gjykatës për tu njohur me akuzat kundër tij, të cilat ende nuk janë bërë publike. Sipas CNN, dalja para gjykatësit pritet të jetë një proces i shpejtë rutinë, por që përfaqëson një moment surreal dhe historik në historinë e SHBA.
Trump do të mbërrijë në gjykatën në qendër të Manhattanit sot pasdite. Bëhet me dije se arrestimi i tij do të procedohet nga zyra e prokurorit të qarkut dhe ai do të dërgohet më pas në sallën e gjyqit për të dëgjuar akuzat kundër tij.
Mediat nuk do të jenë në gjendje të transmetojnë drejtpërdrejt akuzën, tha një gjykatës të hënën mbrëma, duke hedhur poshtë një kërkesë nga disa organizata mediatike, përfshirë CNN. Megjithatë, pesë fotografë do të lejohen të bëjnë fotografi të Trump dhe sallës së gjyqit përpara se të fillojë seanca.
Aktakuza e ngritur javën e kaluar nga një juri e madhe kundër Trump pritet gjithashtu të zbardhet të martën, duke i dhënë publikut – dhe ekipit ligjor të Trump – detajet e para në lidhje me akuzat specifike me të cilat do të përballet ish-presidenti. Hetimi nisi nga një pagesë e fshehtë për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.
Çfarë pritet sot?
Trump do të shoqërohet gjatë gjithë ditës nga Shërbimi Sekret. Arrestimi i tij do të procedohet në prokurorinë e rrethit, ku do t'i merren shenjat e gishtave.
Trump do të dërgohet përmes korridoreve të pasme dhe ashensorëve në gjykatë, e cila është në të njëjtën ndërtesë me zyrën e prokurorit të rrethit. Ai do të ecë nëpër një korridor publik drejt sallës së gjyqit, ku dhe do të gjykohet.
Një avokat i ish-presidentit Donald Trump tha se ai pret që Trump të flasë para kamerave në korridorin jashtë sallës së gjyqit në Manhatan, para dhe pas akuzës së tij të martën.
Chris Kise, një nga avokatët e Trump, tha se ai u takua me Trump mbrëmë në Trump Tower. "Presidenti është elastik, optimist dhe është po aq i vendosur sa kurrë për të luftuar shtytësit e padrejtësisë," tha Kise.
Sot në mëngjes, avokatët me zyrën e prokurorit të rrethit dhe ekipin e Trump po “hekurosin” detajet e një urdhri mbrojtës për të mbajtur sekret dokumentet që do të dorëzohen në këtë çështje.
Kise tha se Todd Blanche "është një shtesë e shkëlqyer" për ekipin ligjor. Sipas parashikimeve, pritet që Trump të paraqitet në gjykatë rreth orës 14.00 me orën lokale, që në Shqipëri është rreth orës 20.00.
Kush e ka në dorë fatin e tij?
Kur Donald Trump të hyjë në sallën e gjyqit të Nju Jorkut, ai do të përballet me një gjykatës me përvojë, i cili nuk është i panjohur në orbitën e ish-presidentit: ushtrues detyre i Gjykatës së Lartë të Nju Jorkut, Juan Merchan.
Ai ka dënuar me burg Allen Weisselberg, të besuarin e Trump, ka kryesuar gjyqin e mashtrimit tatimor të Organizatës Trump dhe ka mbikëqyrur çështjen e mashtrimit kriminal të ish-këshilltarit Steve Bannon.
Por akuza historike e Trump të martën do të jetë ndoshta çështja me profilin më të lartë që Merchan ka pasur deri tani.
Merchan është përshkruar nga vëzhguesit si një gjyqtar "i ashpër", por ai që është i drejtë, pavarësisht se kush është para tij. /Pamfleti
Lini një Përgjigje