
Sulmi i Donald Trump ndaj institucioneve amerikane është një paralajmërim global. Demokracia nuk shembet në Moskë apo Pekin, por në heshtjen e aleatëve që frikësohen ta mbrojnë atë...
Në një editorial të fortë të botuar sot në gazetën Vijesti, thuhet se “sulmi i Donald Trump ndaj demokracisë amerikane nuk mund të injorohet më”.
Sipas shkrimit, ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara nuk është më një çështje e brendshme amerikane, por një çarje që rrezikon të përhapet në vetë Evropën, duke goditur themelet e rendit liberal ndërkombëtar.
Artikulli nis me një metaforë të ashpër: “Çfarë bëni kur miku yt më i mirë dhunon partnerin e vet në shtëpi?”- një pyetje që autori ia drejton liderëve evropianë, të cilët, sipas tij, po sillen si spektatorë të frikësuar përballë degradimit të institucioneve në Uashington.
Në vend të reagimit, udhëheqësit e BE-së kanë zgjedhur heshtjen dhe përuljen, me shpresën se Trump do të vazhdojë të mbështesë Evropën kundër Rusisë dhe të mos rreshtohet hapur me Vladimir Putinin. Por kostoja e kësaj heshtjeje, është e frikshme: pranim i kushteve të padrejta tregtare, rritje e shpenzimeve ushtarake dhe tolerim i një retorike që minon vlerat liberale.
Sipas artikullit, askush në Evropë nuk e ka kundërshtuar hapur mitin e Trump se “ka përfunduar tetë luftëra në tetë muaj”, as nuk ka denoncuar shkatërrimin që ai i ka bërë rendit multilateral dhe organizatave si Kombet e Bashkuara. Heshtja është bërë strategji, dhe strategjitë e heshtjes në histori kanë përfunduar me kosto të rënda për kontinentin.
Në analizën e saj, gazeta paralajmëron se vala e autoritarizmit që po fryn nga Uashingtoni po gjen jehonë edhe në Evropë, në vende si Hungaria e Viktor Orbán, apo Serbia e Aleksandër Vuçiç, ku demokracia po kthehet në dekor elektoral.
Çfarë ndodh në Amerikë, nuk qëndron në Amerikë. Është lajm i së nesërmes për Evropën. Dhe kur SHBA, modeli global i ndarjes së pushteteve, përdor ushtrinë për të frikësuar protestuesit civilë, atëherë është e kotë që kontinenti të flasë për vlera evropiane pa reflektuar mbi rrezikun që po afrohet.
Nëse Evropa vazhdon të heshtë ndaj abuzimeve të pushtetit në Uashington, do të bëhet bashkëfajtore në rrënimin e demokracisë globale. Mbrojtja e rendit demokratik nuk fillon në Bruksel, por me kurajon për t’ia thënë të vërtetën aleatit më të fuqishëm. Është koha që Evropa të flasë.
Ky editorial është më shumë sesa një kritikë ndaj Donald Trump, është një thirrje për reflektim të të gjitha demokracive që pretendojnë të jenë pjesë e botës perëndimore. Për Shqipërinë, mesazhi është i qartë: demokracia nuk mbrohet me fjalime, por me institucione që nuk dorëzohen për interesa momentale. Ndërsa Tirana përpiqet të sigurojë mbështetje ndërkombëtare për integrimin në BE, ky artikull është një kujtesë se çdo qeveri që toleron përqendrimin e pushtetit, kontrollin e mediave apo dobësimin e drejtësisë, po ecën në rrugën ku demokracia fillon të shuhet ngadalë.
Iliberalizmi është një virus që shpërndahet në heshtje; nga liderë që përdorin frikën për të fituar kontroll, dhe nga shoqëri që mendojnë se “nuk na prek neve”. Për Shqipërinë, kjo është një paralajmërim i drejtpërdrejtë: Autoritarizmi i pashembullt i Edi Ramës do të na çojë në theqafje./Pamfleti
Lini një Përgjigje