TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Maj 2025, 17:52

Një përvjetor dhe dy rrugë që të realizohet ëndrra e brishtë evropiane

Shkruar nga Ernesto Maria Ruffini

Një përvjetor dhe dy rrugë që të realizohet ëndrra

Një Evropë e brishtë, e cila në këtë moment historik, e gjen veten përballë edhe armiqve brenda vetes.

Kontinenti gjendet përballë 2 zgjidhjeve, ose të heqë dorë nga demokracia në favor të autokracive që zgjidhin disa probleme por hapin dhjetëra të tjera, ose të angazhohet në forcimin e saj, gjë që kërkon pranimin e disa të vërtetave të hidhura... 

Pardje ishte përvjetori i 80-te i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ndërkohë dje ishte Dita e Evropës: përvjetori i 75-të i Deklaratës historike të Schumanit që hodhi themelet e bashkëpunimit evropian. Një krijesë ende e brishtë për shumë arsye.

Së pari, historike, sepse u krijua nga popuj që kishin luftuar për shekuj me radhë ndaj njëri-tjetrir. Së dyti gjeografike, sepse ka qenë gjithnjë e ekspozuar ndaj pushtimeve, dhe sot rrezikon të goditet nga agresioni ushtarak rus dhe agresioni ekonomik amerikan.

Por edhe për arsye politike, sepse Evropa është zona më e madhe demokratike e mbetur në botë. Dhe demokracia është sipas përkufizimit e brishtë, sepse është e ekspozuar ndaj pakënaqësisë së shumë njerëzve dhe shtypjes së një pakice.

Një Evropë e brishtë, e cila në këtë moment historik, e gjen veten përballë edhe armiqve brenda vetes. Një nacionalizëm i ringjallur i disa forcave politike (Orban, Le Pen, Afd, Vox, Lega dhe partitë nostalgjike të krahut të djathtë), të cilat kanë gjetur një mbështetje të madhe tek kundërshtarët e jashtëm, dhe që kanë të njëjtat kërkesa me pasoja shkatërruese.

Shkurt, një Evropë e ndjeshme ndaj faktorëve të jashtëm ose të brendshëm, të cilët rrezikojnë ta kompromentojnë efektivitetin apo edhe ekzistencën e saj. Në rrezik është një vizion i demokracisë. Nën sulm është një model, ai evropian, i cili jeton sipas rregullave, rolit qendror që duhet të ketë ligji, sipas mekanizmave të kontrollit dhe balancimit që kufizojnë dhe balancojnë ushtrimin e pushtetit, duke parandaluar diktaturën e shumicës.

Një model që kombinon lirinë dhe barazinë, që kujdeset për dinjitetin e çdo personi, pavarësisht nga të ardhurat, etnia apo besimet e tij fetare. Një model, që nuk e mat gjithçka vetëm në terma të efikasitetit ekonomik apo të marrëdhënieve të pushtetit.

Unë jam shumë i bindur se e djathta amerikane, do ta përdorë levën e tarifave për të goditur realisht modelin evropian dhe rregullat e tij. Rregullat e qytetërimit, mbrojtjen e lirisë së të gjithëve, dhe jo vetëm të më të pasurve apo më të fortëve. Përballë kësaj brishtësie, për Evropën ekzistojnë dy zgjidhje të mundshme.

E para është të heqë dorë nga demokracia, dhe të ndjekë ata që lëvdojnë avantazhet e autoritarizmit, të një njeriu në komandën e gjithçka, që me vendime të shpejta garanton siguri, mirëqenie dhe prestigj. Në fakt, kjo do të ishte një heqje dorë nga Evropa që njohim.

Sepse një njeri i vetëm në krye, mund të ekzistojë vetëm në nivel kombëtar. Por kjo është zgjedhja e gabuar, sepse vendet evropiane, nëse janë të ndara, kanë më pak kapacitet për veprim. Dhe është iluzore, sepse herët a vonë autoritarizmi bëhet despotizëm: siç e dimë, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute.

Për më tepër rrezikon sigurinë, sepse bëhet e rrezikshme të kesh edhe mendime të ndryshme nga ata që qeverisin. Mbi të gjitha e zhduk mirëqenien, sepse qeveria ose ata pranë saj marrin kontrollin e ekonomisë, nxitin korrupsionin dhe mungesën e efikasitetit.

Zgjidhja tjetër, me shenjën e kundërt, është forcimi i demokracisë. Gjë që kërkon pranimin e disa të vërtetave. Së pari, që siç është përmendur tashmë, demokracia është për nga përkufizimi e brishtë. Ajo është një korridor i ngushtë dhe i vështirë midis despotizmit dhe anarkisë.

Së dyti, që po si rregull demokracia është e ngadaltë. Sepse është dëgjimi i shumë njerëzve dhe jo i britmës së vetëm një njeriu. Është një ndarje e drejtë, dhe jo një akumulim funksionesh dhe pushtetesh.

Së treti, demokracia është po për nga përkufizimi e mundimshme. Sepse bëhet fjalë për një arritje e përditshme. Është vërtet pjesëmarrje, por mbi të gjitha duhet herë pas here rikonfirmim.

Së katërti, demokracia kushton. Është kostoja e politikave të mirëqenies, kujdesit shëndetësor, sigurimeve shoqërore, shkollave, sigurisë, infrastrukturës. Po ashtu, është kostoja e një shoqërie të drejtë, e cila i jep të gjithëve mundësinë për të realizuar aspiratat e tyre.

Kostoja e së ardhmes që duam. Për më tepër, vitet e fundit, duket se Evropa është mbështetur vetëm tek fjala “kursim”, duke e zëvendësuar atë me një vizion politik në shkallë të gjerë.

Në shtetet më të dobëta, masat shtrënguese i kanë dhënë një goditje të rëndë idesë së një Evrope solidare, duke krijuar përshtypjen e një blloku më të vëmendshëm ndaj balancave buxhetore sesa ndaj pasojave sociale në jetën e njerëzve.

Rritja e papunësisë dhe pabarazisë në vendet që i janë nënshtruar masave shtrënguese të Brukselit, e ka transformuar vuajtjen e shumë qytetarëve evropianë në intolerancë ndaj institucioneve evropiane. Prandaj, duhet që të rinisim një projekt për të ardhmen, për Evropën, për të gjithë ne.

Mënyra e parë për të forcuar demokracinë, dhe bashkë me të edhe Evropën, është t’i rikthehemi prodhimit të pasurisë. Ajo duhet të rishpërndahet përmes politikave sociale: kujdesit shëndetësor dhe sigurimeve shoqërore në një kontinent në plakje, përmes arsimit dhe mikpritjes në një vend ku ka gjithnjë e më pak të rinj.

Dhe për ta prodhuar këtë pasuri, na nevojitet një hop i madh teknologjik dhe organizativ që e ka vetëm Evropa, dhe jo një vend i vetëm. Na duhet një kapërcim i madh që të na lejojë të shkatërrojmë monopolet, para së gjithash ato të ekonomisë dixhitale.

Sepse vetëm Evropa, zotëron kapacitetin t’i kundërvihet atyre që duan të manipulojnë informacionin për të hedhur rërë në ingranazhet e demokracisë sonë. Dhe vetëm ajo ka aftësinë të na mbrojë nga ata që janë në pragun tonë, dhe që synojnë të na frikësojnë me forcë ushtarake dhe ekonomike.

Është absolutisht urgjente të ecim përpara në nivelin e Evropës politike, me një program gjithëpërfshirës që përfshin kapërcimin e vetos, një qeverisje të re, zgjedhjen e drejtpërdrejtë nga qytetarët e unionit të Presidentit të Komisionit Evropian, dhe së fundmi rishikimin e Kushtetutës Evropiane.

Sepse ose Evropa do të arrijë të dalë nga moçalishtja e paqartësisë institucionale, ose ajo rrezikon të ngecë në lojën e vetos së ndërsjellë, që e asfikson një politikë të vërtetë evropiane. Vetëm në këtë mënyrë, do të jetë e mundur të frenohen presionet kundër demokracisë që gjenden tek nacionalizmat që po i shohim të veprojnë sërish.

Por për të ndjekur këtë rrugë, është i nevojshëm një rishikim i projektit evropian, që ta afrojë qendrën me periferitë e shumta dhe të larmishme të kontinentit. Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, do të jetë e mundur të realizohet “riarmatimi” i parë që na nevojitet ne evropianëve: “riarmatimi moral” i atyre që besojnë tek e ardhmja, dhe që kontribuojnë çdo ditë në një projekt që është i arritshëm për të gjithë, pa përjashtuar askënd./Përshtati "Pamfleti" nga “La Stampa”

Lini një Përgjigje