
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB), ka hedhur poshtë një përpjekje të vonuar për të shtyrë rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit, duke e lënë Teheranin në një pozicion të vështirë diplomatik një ditë para afatit përfundimtar.
Vendimi erdhi pas pretendimeve të vendeve perëndimore se javë të tëra bisedimesh dështuan të rezultonin në një marrëveshje "konkrete", me Britaninë, Francën dhe Gjermaninë që kishin ofruar një shtyrje deri në gjashtë muaj nëse Irani plotësonte kushtet e tyre.
Duke folur në Këshillin e Sigurimit, ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi falënderoi Kinën dhe Rusinë për paraqitjen e draft rezolutës, e cila mori vetëm katër vota në favor nga Algjeria, Kina, Pakistani dhe Rusia, ndërsa nëntë vende votuan kundër, duke e bërë atë të pavlefshme.
Më pas, Abbas Araghchi akuzoi Shtetet e Bashkuara për "tradhti të diplomacisë", përpara se të drejtohej kundër E3-s, grupit të përbërë nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, duke thënë se ata e kanë "varrosur" diploamcinë plotësisht.
Irani e quajti veprimin e Këshillit "të paligjshëm", duke theksuar se kjo pengon lehtësimin e sanksioneve bërthamore.
Ky refuzim vjen në kontekstin e përpjekjeve të fundit diplomatike, ku Irani dhe përfaqësuesit e E3 zhvilluan takime të shumta në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë, në një përpjekje të fundit për të shpëtuar negociatat.
Megjithatë, tensionet u rritën pas njoftimit të gushtit nga E3 se ata kishin aktivizuar rivendosjen e sanksioneve të gjera të OKB-së kundër Iranit. Tani, me rivendosjen e sanksioneve, Irani paralajmëron se kjo mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm në programin e tij bërthamor.
Lini një Përgjigje